Vendosni fjalën kyçe....

Putin: Rusia do të vazhdojë të zhvillojë sisteme raketore të afta për të depërtuar përmes të gjitha mbrojtjeve


 Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi sot se Rusia do të vazhdojë të zhvillojë sisteme raketore të afta për të depërtuar përmes të gjitha sistemeve aktuale dhe të ardhshme të mbrojtjes raketore, raporton Anadolu.

Putin tha se ky proces nuk do të ndalet me përfundimin e projekteve aktuale.

Ne do të vazhdojmë të modernizojmë dhe zhvillojmë forcat tona strategjike bërthamore, si dhe të krijojmë sisteme raketore me aftësi të shtuara luftarake, të afta për të depërtuar përmes të gjitha sistemeve moderne dhe të ardhshme të mbrojtjes raketore”, tha ai në një takim në Institutin e Teknologjisë Termike në Moskë, ku janë zhvilluar disa sisteme strategjike raketore bërthamore.

Në vitet e fundit, Rusia ka zhvilluar një gamë të tërë sistemesh të avancuara armësh. Megjithatë, para kësaj, autoritetet kishin deklaruar se kjo do të ishte e mjaftueshme, pasi modelet e reja thuhej se ishin “dekada përpara” të gjitha llojeve ekzistuese të armatimit.

Duke komentuar një testim të suksesshëm të raketës balistike ndërkontinentale “Sarmat”, Putin tha të martën se Moska ka arritur kapacitete bërthamore “që nuk kanë të ngjashme në botë”.

Ai tha gjithashtu se Rusia ka zhvilluar një sërë sistemesh të avancuara strategjike të armëve që nga fillimi i viteve 2000, pasi SHBA-ja u tërhoq nga Traktati për Raketat Antibalistike, gjë për të cilën Moska tha se kërcënonte balancën strategjike.

Mes tyre janë mjeti hipersonik rrëshqitës “Avangard”, raketa hipersonike “Kinzhal”, droni nënujor me energji bërthamore “Poseidon” dhe raketa lundruese “Burevestnik”.

Një tjetër sistem kyç është raketa balistike ndërkontinentale “RS-28 Sarmat”, për të cilën Moska thotë se është e aftë të depërtojë përmes sistemeve ekzistuese dhe të ardhshme të mbrojtjes raketore.