
Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikën e jashtme, Kaja Kallas, ka hedhur poshtë propozimin e presidentit rus Vladimir Putin që ish-kancelari gjerman Gerhard Schröder të shërbejë si ndërmjetës për përfundimin e luftës në Ukrainë, përcjell DW.
Duke folur të hënën, Kallas e cilësoi idenë si të papërshtatshme.
“Gerhard Schröder ka qenë një lobist i nivelit të lartë për kompanitë shtetërore ruse. Është e qartë pse Putin dëshiron që ai të jetë personi që të ulet në të dy anët e tryezës,” deklaroi Kallas.
Ajo shtoi gjithashtu se nuk do të ishte “e mençur” t’i jepej Moskës e drejta për të zgjedhur vetë një ndërmjetës në procesin e negociatave.
Schröder, i cili ka shërbyer si kancelar i Gjermanisë dhe ka ruajtur lidhje të afërta me Moskën, sipas zyrës së tij nuk ka komentuar mbi propozimin e Putinit.
Propozimi vjen në sfondin e përpjekjeve të vazhdueshme diplomatike për të gjetur një zgjidhje për luftën në Ukrainë, e cila vazhdon prej më shumë se dy vitesh.