Vendosni fjalën kyçe....

Rama: Shqipëria në fazë të mirë në negociatat për BE, kemi përmirësim në prokurimet publike



Kryeministri Edi Rama dhe Negociatorja për Kapitullin 5 “Prokurimi Publik”, njëkohësisht Drejtore e Përgjithshme e Agjencisë së Prokurimit Publik, Reida Kashta, kanë zhvilluar një konferencë për mediat ku kanë folur mbi ecurinë e Shqipërisë në fushën e prokurimeve publike dhe procesin e integrimit europian.

Gjatë fjalës së tij, Rama iu referua një raporti të Gjykatës Europiane të Llogarive mbi prokurimet publike, duke theksuar se disa prej gjetjeve të tij lidhen edhe me realitetin shqiptar, veçanërisht në aspektin e konkurrencës.

Sipas tij, një nga problemet e identifikuara është mungesa e ndërgjegjësimit mbi rëndësinë e konkurrencës në prokurimet publike.

Duke iu referuar treguesve krahasues, Rama tha se Shqipëria qëndron më mirë se mesatarja e vendeve të Bashkimit Europian në një aspekt të caktuar të konkurrueshmërisë, duke përmendur kontratat me vetëm një ofertues.

“Nëse në mesatare në BE kontratat me një ofertues janë 32.3 për qind, në Shqipëri janë 23.5 për qind”, u shpreh ai.

Kryeministri theksoi gjithashtu se Shqipëria ndodhet “në një fazë shumë të mirë” të avancimit të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian, duke vlerësuar progresin e bërë në këtë kapitull.