Vendosni fjalën kyçe....

Berisha kritikon ambasadorin Gonzato: Sillet si ambasador i Edi Ramës



Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka sulmuar ambasadorin e Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato, duke e akuzuar se “sillet si ambasador i Edi Ramës”.

Në një deklaratë për mediat në Ditën e Europës, Berisha pretendoi se Gonzato ka përcjellë në Bruksel “trillime” ndaj opozitës shqiptare.

“Ky sillet si me qenë ambasador i Edi Ramës. Mbase, ky zotëri, në mënyrë të vërtetuar, ka transmetuar në Bruksel trillimet më të pavërteta ndaj opozitës. Sikur opozita nuk është për integrimin”, u shpreh Berisha.

Ai përmendi edhe një debat, sipas tij, mbi çështjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë:
“Kur diskutohet nga Coelho pse nuk i hiqet imuniteti Lubi Ballukut, shkëlqesia e tij Gonzato thotë se ky është interpretimi shqiptar i imunitetit.”

Berisha deklaroi se Partia Demokratike mbetet “thellësisht e orientuar” drejt integrimit europian të Shqipërisë dhe akuzoi qeverinë e kryeministrit Edi Rama për “lobim korruptiv” në procesin e integrimit.

“Partnerë të rëndësishëm të Bashkimit Europian ia kanë bërë të qartë se Partia Demokratike është partner i tyre dhe e orientuar drejt integrimit europian”, tha Berisha.

Deklaratat e tij erdhën në 9 Maj, Ditën e Europës, ndërsa ai e cilësoi situatën në Shqipëri si “udhëkryqin më të rrezikshëm të historisë së saj”.