Vendosni fjalën kyçe....

Salianji mesazh Berishës: PD nuk mund të ketë të njëjtin lider prej 36 vitesh



Ish-deputeti i Partia Demokratike, Ervin Salianji, ka përcjellë një mesazh në Ditën e Europës, ku ka theksuar se demokracia dhe ndryshimi janë vlera themelore të projektit europian.

Në reagimin e tij, Salianji ka adresuar kritika të drejtpërdrejta ndaj kreut të PD-së, Sali Berisha, duke deklaruar se partia nuk mund të përfaqësojë aspiratën europiane të shqiptarëve “duke pasur në krye të njëjtin lider prej 36 vitesh”.

“Partia Demokratike duhet ta përfaqësojë këtë pritshmëri të popullit shqiptar. Por këtë nuk mund ta bëjë kurrë duke pasur në krye të njëjtin lider prej 36 vitesh, që nuk respekton asnjë normë demokratike”, shkruan Salianji.

Ai theksoi se Europa përfaqëson lirinë, demokracinë, shtetin e së drejtës dhe vendimmarrjen nga qytetarët.

“Demokracia është pikërisht kjo: një sistem përmes të cilit pushteti mund të lihet dhe ndryshimi bëhet i mundur”, shprehet ai.

Salianji shton se Shqipëria ka nevojë për “një frymë të re” dhe për një brez që beson te vlerat europiane.

“Sot, më shumë se kurrë, Shqipëria ka nevojë për një frymë të re dhe për një brez që beson në këto vlera dhe kërkon t’i kthejë ato në realitet. Ndryshimi nuk është vetëm një nevojë. Është një detyrim europian”, deklaron ish-deputeti demokrat.

Në fund të mesazhit të tij, Salianji thekson se “vetëm kështu PD bëhet fituese”.