Pas përplasjeve me policinë gjatë protestës në Tiranë, kryetari i Partia Demokratike, Sali Berisha, ka vendosur të tërheqë protestuesit dhe t’i drejtojë ata drejt selisë së kësaj force politike.
Në një deklaratë për mediat, Berisha e cilësoi protestën si paqësore, duke akuzuar policinë për provokim për shkak të bllokimit të bulevardit Dëshmorët e Kombit.
“Ju e patë, ishim në një marshim paqësor… u bllokua rruga. Këta kanë kryer një krim të shëmtuar sot sepse ne po bënim marshimin tonë”, u shpreh ai.
Berisha deklaroi se drejtuesit e lartë të opozitës do të mblidhen në selinë e PD për të bërë një bilanc të protestës së zhvilluar para Kryeministrisë dhe për të vendosur hapat e mëtejshëm.
Ai gjithashtu akuzoi drejtpërdrejt qeverinë, duke përmendur Edi Rama dhe Belinda Balluku, për të cilët kërkoi që, sipas tij, të japin llogari para drejtësisë.
“Ne do të përgatitemi për të gjitha format… dhe i garantoj se e kanë të humbur 100 përqind”, deklaroi Berisha.
Pas këtij zhvillimi, protesta është zhvendosur nga bulevardi drejt selisë së Partisë Demokratike, ndërsa pritet që opozita të dalë me një qëndrim zyrtar mbi vijimin e aksionit politik.
