Vendosni fjalën kyçe....

Bardhi: Rama refuzon interpelancat dhe mbron Ballukun, po përfiton nga kriza e çmimeve



Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se shmang debatet parlamentare dhe interpelancat e kërkuara nga opozita, ndërsa paraqitet në Kuvend vetëm për të mbrojtur, sipas tij, ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku.

Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Bardhi deklaroi se shqetësimet e qytetarëve për rritjen e çmimeve dhe kostos së jetesës nuk janë prioritet për kryeministrin.

“Sot kryeministri Rama nuk është këtu. Nuk vjen në Kuvend kur kërkohet në interpelanca apo për debat, sepse shqetësimi i shqiptarëve, çmimet e larta që ndikohen nga rritja e çmimit të karburanteve, nuk janë shqetësimi i tij. Erdhi në Kuvend vetëm të bllokojë drejtësinë të arrestojë Ballukun”, u shpreh Bardhi.

Në vijim, kreu i grupit parlamentar demokrat solli në sallën e Kuvendit një video të kryeministrit Rama, ku ai fliste për ndikimin që ka çmimi i karburanteve në rritjen e çmimeve të tjera, duke nisur nga produktet bazë si buka.

“Edhe pse ai refuzon të vijë këtu, do ta sjell unë në Kuvend. Le të dëgjojnë shqiptarët çfarë thotë ai për naftën dhe çmimet”, tha Bardhi, para se të transmetonte videon.

Më tej, deputeti demokrat akuzoi kryeministrin se po përfiton nga rritja e çmimit të karburanteve.

“Rama është bërë ortak i krizës, qytetarët paguajnë më shumë dhe shteti fiton më shumë. Rama nuk heq dorë duke u sjellë si aksioner i çdo litri nafte”, deklaroi Bardhi.