
Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka ngritur në Kuvend shqetësimin për çmimin e lartë të hidrokarbureve në vend, duke e lidhur këtë situatë me modelin aktual të tregut dhe strukturën e taksave mbi karburantet.
Gjatë fjalës së tij, Braçe theksoi se, ndonëse rritja e çmimeve është ndikuar edhe nga faktorë ndërkombëtarë dhe kriza globale, në Shqipëri çmimi neto i karburanteve pa taksa mbetet ndër më të lartët.
“Modeli i tregut mban çmimet e larta dhe për shkak të këtij modeli kemi këtë situatë. Çmimi neto pa taksa vazhdon të mbetet më i larti. Askush nuk ka kurajën të flasë për modelin e tregut apo për modelin e taksës që ne kemi”, u shpreh Braçe.
Ai kritikoi gjithashtu strukturën aktuale të taksave mbi karburantet, duke përmendur edhe ndryshimet e bëra ndër vite në nivelin e akcizës dhe taksës së qarkullimit.
“Ne kemi akcizë. Taksa e qarkullimit është përfshirë brenda çmimit të hidrokarbureve. Ka qenë 7 lekë, ndërsa ne e kemi çuar në 27 lekë. Më vjen keq që qeveria nuk e thotë me zë këtë”, deklaroi ai.
Braçe shtoi se sistemi aktual ka krijuar një barrë më të madhe për konsumatorët dhe nuk favorizon drejtësinë në treg, duke theksuar se konsumatorët e mëdhenj përfitojnë më shumë nga struktura ekzistuese e çmimeve.
Debati në Kuvend u shoqërua edhe me replika dhe ndërhyrje nga opozita, përfshirë përplasje verbale me deputetë të Partisë Demokratike gjatë seancës plenare.