Vdekja tragjike e dy fëmijëve në një aksident rrugor ka ngritur në protestë qytetarët e Durrësit, të cilët kanë marshuar pasditen e sotme në rrugët kryesore të qytetit.
Me qindra pjesëmarrës, duke mbajtur në duar pankarta dhe fotografitë e të miturve që humbën jetën, marshimi nisi nga Drejtoria e Policisë dhe u ndal përpara Bashkisë së Durrësit, në një thirrje të fortë për siguri dhe drejtësi.
Qytetarët denoncojnë neglizhencën e institucioneve dhe kërkojnë kontrolle më të rrepta në akset rrugore, duke theksuar se jeta e fëmijëve nuk mund të jetë më pre e papërgjegjshmërisë.
Thirrjet e tyre u fokusuan në ndalimin e vdekjeve të pafajshme dhe ndërgjegjësimin e drejtuesve të mjeteve.
“Dy jetë të pafajshme, kërkojmë drejtësi. Fëmijët s’duhet të humbnin jetën kështu. Kjo nuk duhet të ndodhë më kurrë. Ndal neglizhencës, shpëtoni jetë! Siguria e fëmijëve është detyrim”, ishin disa nga mesazhet e shkruara në pankartat e protestuesve.
Ngjarja e rëndë ka shkaktuar zemërim të madh, veçanërisht pas konfirmimit se drejtuesi i automjetit, Nikoll Radaçi, po lëvizte nën efektin e alkoolit në momentin e përplasjes fatale. Përveç dy viktimave, aksidenti la të plagosur rëndë edhe një të mitur tjetër, gjendja e të cilit mbetet kritike.
Përveç thirrjeve për polici, banorët e zonës së Arapajt kanë denoncuar edhe raste të tjera të personave që lëvizin me shpejtësi të lartë në lagjet e banuara, duke u kthyer në kërcënim të vazhdueshëm për këmbësorët.
