
Një person është qëlluar nga forcat e rendit pranë Monumentit të Uashingtonit në SHBA, në një incident të ndodhur të hënën, sipas Shërbimit Sekret amerikan.
Sipas autoriteteve, ngjarja ndodhi në zonën e 15th Street dhe Independence Avenue, ku një i dyshuar hapi zjarr pasi u përball me efektivët e policisë. Forcat e rendit iu përgjigjën me armë, duke e plagosur atë.
Raportohet gjithashtu se një kalimtar është goditur nga i dyshuari gjatë incidentit. Shërbimet emergjente kanë transportuar në spital një të rritur, ndërsa një i mitur është trajtuar në vendngjarje për lëndime të lehta, përcjell DW.
Pas të shtënave, Shtëpia e Bardhë, që ndodhet pranë zonës së incidentit, është vendosur përkohësisht në izolim sigurie. Në momentin e ngjarjes, Presidenti Donald Trump ndodhej në një takim, ndërsa nuk ka indikacione që ai apo zyrtarë të tjerë të lartë të kenë qenë objektiv i sulmit.
Incidenti vjen vetëm pak ditë pas një tjetër ngjarjeje të rëndë pranë Shtëpisë së Bardhë, ku një person i armatosur tentoi të hynte në një aktivitet zyrtar, duke plagosur një agjent të Shërbimit Sekret.
Autoritetet vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.