
I ashpër ka qenë qëndrimi i kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, ndaj ish-deputetit Ervin Salianji, gjatë një takimi me qytetarët në Dibër, ku ka hedhur akuza të forta në adresë të tij.
Në fjalën e tij, Berisha u ndal te çështja e dënimit të Salianjit, duke theksuar se Partia Demokratike e kishte mbështetur dhe e kishte konsideruar atë si të burgosur politik në arenën ndërkombëtare. Ai shtoi se kishte qenë personalisht pranë tij gjatë kohës së burgimit.
Megjithatë, Berisha deklaroi se më pas kishte pasur dyshime për qëndrimet dhe sjelljen e Salianjit, duke pretenduar se ai kishte pasur kontakte dhe marrëdhënie me persona të lidhur, sipas tij, me qeverinë.
Gjatë fjalës së tij, ai solli edhe një episod nga periudha e burgimit të Salianjit, ku sipas Berishës, ish-deputeti i kishte kërkuar këshillë në lidhje me një deklaratë që duhej të bënte për të përfituar lirimin, ndërsa ai vetë i kishte sugjeruar të mos e pranonte fajësinë.
Berisha theksoi gjithashtu se, sipas informacioneve që ai i cilësoi si të verifikuara, Salianji kishte pasur kontakte me persona të caktuar gjatë kohës që vuante dënimin, si dhe më pas, duke ngritur dyshime mbi qëndrimin e tij politik.
Deklaratat e Berishës vijnë në një moment përplasjesh të forta brenda Partisë Demokratike, teksa debatet mes figurave të saj vijojnë të intensifikohen.