Vendosni fjalën kyçe....

OBSH-ja bën thirrje për dhurim të vaksinave për vendet e varfra


Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të dhurojë vaksina të COVID-19 për vendet me të ardhura më të ulëta, duke përmendur nevojën urgjente për 10 milionë doza për një program të shpërndarjes së vaksinave të mbështetur nga OBSH-ja.

“COVAX është gati të shpërndajë, por ne nuk mund të shpërndajmë vaksina që nuk i kemi”, tha Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus në një konferencë virtuale shtypi nga Gjeneva.

COVAX, nisma për qasje globale ndaj vaksinës COVID-19, synon të sigurojë shpërndarje të barabartë të vaksinës në të gjithë botën, në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.

“Marrëveshjet bilaterale, ndalimet e eksportit dhe nacionalizmi i vaksinave kanë shkaktuar shtrembërime në treg me pabarazi të mëdha mes kërkesës dhe ofertës,” tha zoti Tedros. “Dhjetë milionë doza nuk janë shumë dhe nuk janë as të mjaftueshme.”

Thirrja e zotit Tedros vjen pasi India, një furnizues kryesor i programit të ndarjes së vaksinave COVAX të agjencisë, tha se po i jepte përparësi nevojave lokale.

Drejtori i OBSH-së tha se masa e Indisë ishte “e kuptueshme” duke pasur parasysh numrin në rritje të infeksioneve atje. Ai tha se bisedimet ishin në proces me Indinë për të gjetur një ekuilibër midis nevojave lokale dhe atyre ndërkombëtare.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *