Vendosni fjalën kyçe....

Dosja “Onkologjiku” çon 6 persona për gjykim, mes tyre mjekë dhe zyrtarë të QSUT



Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim gjashtë persona të lidhur me Spitalin Onkologjik në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT), si dhe një administrator të një kompanie farmaceutike.

Të pandehurit akuzohen për veprat penale “Shpërdorim detyre”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Tregtimi dhe transportimi i mallrave kontrabandë”.

Në listën e të pandehurve përfshihen Brikena Qirjazi, Alketa Peren, Emiljano Lela, Drilona Kishta, Halil Gashi dhe Florjan Marku. Ndërkohë, për mjekun Edmond Gashi është veçuar dosja dhe është dërguar për kompetencë në Prokurorinë e Tiranës për një vepër tjetër penale.

Si nisi hetimi

Fillimisht, çështja iu referua Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për vlerësim të kompetencës, por më pas u kthye në Prokurorinë e Tiranës, duke u ndarë një pjesë e materialeve për hetim të veçantë.

Hetimet janë kryer në bashkëpunim me Seksionin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Policinë e Tiranës.

Akuza për orientim pacientësh drejt privatit

Sipas prokurorisë, nga hetimet ka rezultuar se pacientë të ndryshëm, të cilëve nuk u ofrohej trajtimi i duhur në spital, orientoheshin drejt klinikave private për shërbime që në fakt duhet të jepeshin falas në sistemin publik, kundrejt pagesave të larta.

Në dosje theksohet se disa prej të pandehurve kanë ndërhyrë në mënyrë të paligjshme në procesin e trajtimit dhe administrimit të pacientëve, duke favorizuar klinikat private.

Aparatura e rrezikshme e pashfrytëzuar

Një tjetër element i hetimit lidhet me aparaturën e Kobalt-terapisë të instaluar në Onkologjik për trajtimin e pacientëve me sëmundje tumorale.

Sipas prokurorisë, për përdorimin e saj kërkohej ndërtimi i një bunkeri të posaçëm antiradioaktiv, sipas standardeve ndërkombëtare të Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA).

Ky bunker nuk është ndërtuar, ndërsa aparatura është vendosur në kushte të papërshtatshme, pranë kabinetit të radiologjisë. Që prej mbërritjes në vitin 2021, pajisja nuk është vënë në funksion dhe sipas hetimeve ka qëndruar jashtë standardeve të sigurisë, duke krijuar rrezik potencial për stafin mjekësor.

Detaje për përgjegjësitë e të pandehurve

Prokuroria ka ndarë rolet e të pandehurve sipas funksioneve:

  • Një koordinator akuzohet se ka orientuar pacientë drejt klinikave private kundrejt përfitimeve financiare.
  • Një administratore dyshohet se ka tejkaluar kompetencat duke dërguar pacientë në privat.
  • Një zv/drejtoreshë akuzohet për mosmarrje masash për funksionimin e pajisjeve mjekësore.
  • Një specialist dyshohet se ka hartuar ekspertizë jo të saktë mbi pajisjen radioaktive.
  • Një administrator privat akuzohet për fshehje të ardhurash dhe moslëshim faturash.
  • Një tjetër subjekt farmaceutik dyshohet për tregtim barnash kontrabandë.

Sipas prokurorisë, veprimet e tyre kanë sjellë pasoja financiare për institucionin dhe kanë ndikuar në trajtimin e pacientëve onkologjikë.

Çështja tashmë do të shqyrtohet në gjykatë, ku të pandehurit do të përballen me akuzat e ngritura nga organi i akuzës.