Vendosni fjalën kyçe....

Shiste kokainë dhe kanabis , arrestohet 36-vjeçari në Dhërmi


Në Vlorë, policia ka goditur një tjetër rast të shitjes së lëndëve narkotike në zonat turistike, duke arrestuar në flagrancë një 36-vjeçar në Dhërmi.

Gjatë kontrollit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan sasi kokaine dhe kanabisi të ndara në doza gati për shitje, si dhe automjetin dhe celularin që përdorte i arrestuari.

Njoftimi:

Vlorë/Vijojnë goditjet e njëpasnjëshme ndaj veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve.

Goditet një tjetër rast i shitjes së lëndëve narkotike, në zonat turistike.

Kapet në flagrancë dhe vihet në pranga 36-vjeçari që shiste Kokainë dhe Cannabis, në Dhërmi.

Sekuestrohen sasi Kokaine dhe Cannabisi, automjeti që përdorte 36-vjeçari për këtë veprimtari kriminale dhe celulari i tij.

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Vlorë, në vijim të kontrolleve të shtuara për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, kanë goditur një rast të shitjes së lëndëve narkotike në fshatin Dhërmi.

Për këtë rast u arrestua shtetasi E. P., 36 vjeç, banues në Lushnjë.

Shërbimet e Policisë kanë ndaluar në fshatin Dhërmi, automjetin tip “Volkswagen”, me drejtues shtetasin E. P. Gjatë kontrollit fizik ndaj tij dhe kontrollit në automjet, u gjet sasi lënde e dyshuar narkotike Cannabis Sativa, e gatshme për shitje.

Në vijim, gjatë kontrollit në ambientin ku banonte ky shtetas, në fshatin Drimadhë, u gjetën rreth 450 gramë lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa dhe një sasi lënde e dyshuar narkotike Kokainë, të ndara në doza, gati për shitje.

Lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, bashkë me automjetin dhe celularin e këtij shtetasi.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Vlorës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.