Vendosni fjalën kyçe....

Korreshi denoncon ndotjen në Çermë Sektor: Kanale me fekale pranë banesave, situatë alarmante



Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, ka publikuar një video-denoncim nga zona e Çermë Sektorit, në njësinë administrative Tërbuf, në Bashkinë e Divjakës, ku evidenton ndotje të rëndë mjedisore dhe mungesë menaxhimi të mbetjeve.

Në pamjet e publikuara, shihen kanale të mbushura me ujëra të zeza, mbetje urbane dhe inerte, shumë pranë banesave të qytetarëve. Sipas Korreshit, situata vijon prej më shumë se një viti pa asnjë ndërhyrje nga institucionet përgjegjëse.

Ai akuzon autoritetet vendore për neglizhencë dhe mungesë reagimi, duke theksuar se mungesa e menaxhimit të mbetjeve dhe ujërave të zeza ka kthyer zonën në një vatër ndotjeje dhe rrezik për shëndetin publik.

Në video, deputeti shprehet se kanalet përdoren për shkarkimin e ujërave të zeza dhe mbetjeve nga banesat, ndërsa situatën e cilëson të papranueshme për jetesë, duke kërkuar ndërhyrje urgjente nga institucionet përgjegjëse.

Sipas tij, banorët e zonës përballen çdo ditë me kushte të rënda higjieno-sanitare, ndërsa mungesa e investimeve dhe pastrimit ka përkeqësuar më tej situatën.