Vendosni fjalën kyçe....

KED lejon kandidimin e dy juristeve që ngelën në testin e Magjistraturës


 

Një mesazh i mbërritur në redaksinë e “Boldnews.al“, i forcuar më tej prej burimeve të brendshme nga Shkolla e Magjistraturës zbulon se, të paktën dy prej kandidateve të kualifikuara për një post anëtari në Gjykatën Kushtetuese, nuk përmbushin kriteret minimale profesionale për të qenë magjistrat.

Arta Vorpsi dhe Elsa Toska janë aktualisht këshilltare ligjore në Gjykatën Kushtetuese. Dy juristet janë kualifikuar nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED) për të vijuar garën për gjyqtar pranë institucionit ku ushtrojnë aktualisht detyrën.

Por, si Vorpsi, ashtu edhe Toska, nuk kanë arritur nivelin minimal të pikëve në testin profesional, të zhvilluar vitin e kaluar në Shkollën e Magjistraturës.

Ligji për “rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve” (Vetingu), si edhe ai “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”, te dy ligje që janë pjesë e Reformës në Drejtësi, u japin mundësinë ndihmësve ligjorë në Gjykatën Kushtetuese, në Gjykatën e Lartë dhe në Prokurorinë e Përgjithshme që të fitojnë statusin e magjistratit pasi të kenë kaluar me sukses, ndër të tjera, edhe testin profesional të organizuar nga Shkolla e Magjistraturës.

Në Maj të vitit 2018, ndihmësit ligjorë të institucioneve të larta të drejtësisë u përfshinë në testin e organizuar nga Magjistratura.

Rezultatet e testit, ndryshe nga praktika e Shkollës së Magjistraturës, nuk janë bërë publike.

Megjithatë, burime nga ai institucion konfirmuan për “Boldneës.al” se kandidatet e kualifikuara për një post në Gjykatën Kushtetuese, Arta Vorpsi dhe Elsa Toska, janë rrëzuar në testin e Shkollës së Magjistraturës.

Aspekti profesional është një ndër tre kriteret thelbësorë të procesit të Vetingut, së bashku me atë të pasurisë dhe të integritetit personal.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK), në dy vendime të ndryshme, ka vendosur konfirmimin në detyrë të subjekteve Arta Vorpsi dhe Elsa Toska, konkretisht me vendimet nr.135, dt. 12.11.2018 dhe nr. 105, dt. 12.02.2019.

KPK ka konstatuar se Vorpsi dhe Toska kalojnë me sukses në të tre kriteret, përfshirë atë profesional.

Por, siç konstatohet nga vendimet e zbardhura të Komisionit të Vetingut, për vlerësimin e kriterit profesional, trupat gjyqësore të KPK-së i janë referuar raporteve të përcjella nga ish-Këshilli i Lartë i Drejtësisë.

Në të dy rastet, KPK nuk rezulton të ketë kërkuar informacion ose të jetë njoftuar nga Shkolla e Magjistraturës për rezultatet e testimit, të zhvilluar në Maj 2018, pra 8-10 muaj para se komisioni i Vetingut të mbyllte procesin e rivlerësimit.

Nga ana tjetër, edhe Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, struktura përgjegjëse për përzgjedhjen e juristëve më të spikatur për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, nuk rezulton t’i jetë referuar rezultateve të testimit të kryer nga Shkolla e Magjistraturës.

Me vendimin nr.54, dt.24.07.2019, KED ka miratuar raportin e anëtarës relatore Arta Marku (Prokurore e Përgjithshme e Përkohshme), për lejimin e kandidimit të juristes Arta Vorpsi për garën për anëtar të Gjykatës Kushtetuese.

Në bazë të këtij vendimi, rezulton që relatorja Arta Marku ka bërë një verifikim mbi kriteret formale, pa u thelluar aspak ne aftësitë profesionale të kandidates. Në këtë vendim, nuk rezulton të jetë kërkuar apo të jetë marrë si referencë testimi i kryer nga Shkolla e Magjistraturës.

Për kandidaten tjetër, Elsa Toska, KED ka lejuar kandimin e saj për në Gjykatën Kushtetuese, por vendimi i zbardhur për këtë rast nuk gjendet i publikuar në faqen zyrtare të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (seksion i veçantë në faqen zyrtare të Gjykatës së Lartë).

Gjithsesi, duket qartë që, edhe në rastin e kandidates Toska, nuk është marrë në referencë dështimi i saj, sipas burimeve konfidenciale, në testimin e Shkollës së Magjistraturës.

Përfshirja në garën për anëtar të Gjykatës Kushtetuese të të paktën dy kandidateve që nuk arrijnë të kualifikohen si magjistrate të thjeshta, vendos pikëpyetje mbi seriozitetin e procesit dhe cilësinë e vendimmarrjes së Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Gjithashtu, përzgjedhja e kandidatëve qe nuk kanë kaluar testin e Shkollës së Magjistraturës cënon rëndë edhe cilësinë e vendimmarrjes së ardhshme të Gjykatës Kushtetuese.

VINI RE: Ky artikull është pronësi intelektuale e BoldNews.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *