Vendosni fjalën kyçe....

Lufta në Gaza, Australia thotë se mund ta njohë shtetin palestinez


Ministrja e Jashtëme e Australisë është shprehur se vendi mund të njohë shtetësinë palestineze, për të rritur vrullin drejt paqes.

Megjithatë Hamasi nuk mund të ketë asnjë rol në qeverisjen e tij, tha Penny Wong.

Si opozita e Australisë ashtu edhe Federata Sioniste e Australisë thonë se një veprim i tillë do të ishte i parakohshëm.

Canberra ka thënë prej kohësh se njohja e një kombi palestinez mund të vijë vetëm si pjesë e një zgjidhjeje me dy shtete të ndërmjetësuar me Izraelin.

Por komentet e zonjës Wong i bëjnë jehonë një fjalimi të Sekretarit të Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar, David Cameron në fillim të këtij viti, në të cilin ai la të kuptohej se edhe Britania e Madhe mund të njihte shtetësinë palestineze pa mbështetjen e Izraelit.

Qeveria australiane muajt e fundit ka shprehur gjithnjë e më shumë shqetësime për luftën kundër Hamasit në Gaza, përfshirë pasi një punonjës ndihmash australian u vra së bashku me gjashtë të tjerë gjatë një sulmi ajror izraelit.

Në një fjalim të martën mbrëma, zonja Wong tha se një zgjidhje me dy shtete, ku izraelitët dhe palestinezët të jetojnë krah për krah në vende të veçanta,  është “shpresa e vetme për të thyer ciklin e pafund të dhunës”.

“Dështimet e kësaj qasjeje nga të gjitha palët gjatë dekadave, si dhe refuzimi i qeverisë së Netanyahut për t’u përfshirë edhe në çështjen e një shteti palestinez, kanë shkaktuar zhgënjim të gjerë,” tha ajo.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e BBC