Vendosni fjalën kyçe....

Trump anulon negociatat me Iranin në Pakistan: “Le të na telefonojnë”


Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka vendosur të ndërpresë zhvillimin e negociatave me Iranin në Pakistan, duke deklaruar se Uashingtoni nuk do të dërgojë më delegacione për bisedime jashtë vendit.

Vendimi vjen një ditë pasi Trump anuloi udhëtimin e të dërguarve të tij, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, drejt Islamabadit për një raund të ri negociatash me përfaqësuesit iranianë.

Në një intervistë për Fox News, Trump u shpreh qartë: “Nëse duan të flasin, mund të vijnë tek ne, ose mund të na telefonojnë. Ka linja të sigurta komunikimi.”

Ai shtoi se SHBA nuk do të kryejë më udhëtime të gjata për bisedime që, sipas tij, nuk japin rezultate.

Presidenti amerikan ritheksoi vijën e kuqe të administratës së tij ndaj Teheranit: “Ata e dinë shumë mirë çfarë duhet të përmbajë marrëveshja. Është shumë e thjeshtë: nuk mund të kenë armë bërthamore, përndryshe nuk ka arsye për t’u takuar.”

Në një postim në rrjetin e tij Truth Social, Trump theksoi se anulimi i vizitës u bë edhe për shkak të “konfuzionit dhe përçarjeve” brenda lidershipit iranian, duke shtuar: “Ne i kemi të gjitha kartat, ata nuk kanë asnjë.”

Ndërkohë, zhvillimet diplomatike kanë mbetur në vendnumëro. Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, u largua nga Pakistani pa zhvilluar takime me përfaqësuesit amerikanë, ndërsa presidenti iranian Masoud Pezeshkian ka deklaruar se Teherani nuk do të rikthehet në negociata për sa kohë vazhdon bllokada detare në Ngushticën e Hormuzit.

“Nuk do të hyjmë në negociata nën presion, kërcënime dhe bllokadë,” citohet të ketë thënë Pezeshkian, duke theksuar se veprimet e SHBA-së kanë minuar besimin për një proces diplomatik.

Megjithatë, Trump deklaroi për Axios se anulimi i bisedimeve nuk nënkupton domosdoshmërisht një rikthim të menjëhershëm në konflikt, duke lënë të hapur mundësinë për zhvillime të mëtejshme në raportet mes dy vendeve.