Vendosni fjalën kyçe....

Samiti i Qipros, Liderët e BE-së diskutojnë për mbrojtjen e përbashkët dhe krizën në Ngushticën e Hormuzit


Liderët e Bashkimit Evropian janë mbledhur në Qipro për një samit joformal dyditor që pritet të shënojë nisjen e një procesi të rëndësishëm për pavarësinë ushtarake të bllokut.

Në fokus të bisedimeve është Neni 42.7 i traktateve të BE-së, i cili parashikon ndihmë reciproke në rast të një sulmi të armatosur.

Ky diskutim shihet si një përgatitje për krijimin e një sistemi që mund të shërbejë si alternativë ndaj NATO-s, në rast se SHBA-ja vendos të tërhiqet nga aleanca nën presidencën e Donald Trump.

Ky samit karakterizohet nga mungesa e dukshme e Viktor Orbán, i cili humbi zgjedhjet në Hungari në fillim të këtij muaji.

Pas 16 vitesh në pushtet, epoka e tij e shënuar nga veta dhe bllokime të shpeshta po mbyllet, ndërsa dy nga vetot e tij kryesore për kredinë ndaj Ukrainës dhe sanksionet ndaj Rusisë u hoqën pak përpara nisjes së takimit, sipas Euronews.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy do të jetë i pranishëm në darkën e punës në Ayia Napa për të kërkuar garanci sigurie përmes anëtarësimit në BE.

“Ky proces kërkon unanimitet në mënyrë që të gjitha zërat e Evropës të dëgjohen. Ne shpresojmë dhe besojmë shumë se kjo çështje do të zgjidhet”, deklaroi Zelenskyy, duke bërë thirrje për përparim në negociatat e anëtarësimit.

Situata në Lindjen e Mesme dhe bllokimi i Ngushticës së Hormuzit nga Irani dhe SHBA-ja po jep efekte të rënda në ekonominë evropiane, duke i çuar çmimet e energjisë në nivele alarmante.

Liderët po diskutojnë mundësinë e krijimit të një force ushtarake për të shoqëruar anijet tregtare dhe po shqyrtojnë masat e Komisionit Evropian për zbutjen e varfërisë energjetike përmes subvencioneve dhe reduktimit të taksave.

Komisioni ka bërë thirrje që ndihmat financiare të jenë të shënjestruara dhe të përkohshme për të shmangur rritjen e mëtejshme të borxhit publik. Edhe pse ky takim është joformal dhe nuk priten vendime përfundimtare këtë javë, ai vendos shinat për politikën e jashtme dhe të mbrojtjes të Bashkimit Evropian për muajt në vijim.