Detaje të reja dhe tronditëse kanë dalë në dritë mbi gjendjen shëndetësore të liderit të ri suprem të Iranit, Mojtaba Khamenei.
Sipas një raporti të publikuar nga The New York Times, regjimi po kufizon rreptësisht aksesin tek ai për shkak të frikës se Izraeli mund ta gjurmojë dhe ta vrasë.
Khamenei, i cili mori detyrën pas vdekjes së të atit, u plagos rëndë në sulmin e 28 shkurtit, ku mbetën të vrarë babai i tij, gruaja dhe djali.
Raporti bën me dije se Presidenti iranian Masoud Pezeshkian, i cili është kirurg kardiak me profesion, po merr pjesë personalisht në trajtimin e liderit.
Khamenei ka kaluar tre operacione në njërën këmbë dhe aktualisht po pret një protezë, ndërsa djegiet e rënda në fytyrë dhe buzë ia bëjnë pothuajse të pamundur të folurën.
Burimet bëjnë me dije se komunikimi i tij me botën e jashtme është tejet i kufizuar dhe primitiv për të shmangur inteligjencën elektronike, p;rcjell Znet.
Mesazhet shkruhen me dorë, vulosen në zarfe dhe dërgohen përmes një zinxhiri njerëzor korrierësh me makina dhe motoçikleta deri në vendin e tij të fshehtë. Ai ka refuzuar të regjistrojë mesazhe me zë apo video sepse nuk dëshiron të shfaqet i pafuqishëm apo i cenueshëm përpara popullit.
“Kombi nuk duhet ta shohë atë në këtë gjendje. Ai nuk dëshiron të tingëllojë i dobët në fjalimin e tij të parë publik”, thuhet në raport, duke cituar zyrtarë iranianë.
Në mungesë të pranisë fizike të liderit, vendi po drejtohet efektivisht nga një grup gjeneralësh të Gardës Revolucionare (IRGC).
Mojtaba Khamenei po funksionon si një lloj “kryetari bordi”, duke u mbështetur plotësisht te komandantët ushtarakë për vendimet e sigurisë dhe diplomacisë. Kjo lidhje e fortë me ushtrinë buron që nga mosha 17-vjeçare, kur ai luftoi si vullnetar në luftën Iran-Irak.
Lidhur me këtë situatë ka reaguar edhe Presidenti i SHBA, Donald Trump, përmes një postimi në platformën e tij Truth Social.
“Irani po e ka shumë të vështirë të kuptojë se kush është udhëheqësi i tyre! Ata thjesht nuk e dinë! Ne kemi kontroll total mbi Ngushticën e Hormuzit. Asnjë anije nuk mund të hyjë apo të largohet pa miratimin e Marinës së Shteteve të Bashkuara. Është e vulosur fort deri në momentin që Irani të jetë në gjendje të bëjë një marrëveshje!”, shkroi Trump.
Pavarësisht plagëve të rënda, burimet thonë se Khamenei mbetet i mprehtë mendërisht, por varësia e tij ndaj gjeneralëve po formëson një dinamikë të re në Teheran, ku diplomacia tradicionale është anashkaluar në favor të strategjive ushtarake dhe bisedimeve të fshehta përmes kanaleve dytësore.
