Vendosni fjalën kyçe....

Rezultatet paraprake të zgjedhjeve në Izrael, Benjamin Netanyahu drejt rikthimit në pushtet


Ish-kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu është në prag të një rikthimi dramatik, pasi rezultatet paraprake të zgjedhjeve treguan se ai ishte në rrugën e duhur për të fituar shumicën në parlament me ndihmën e së djathtës ekstreme.

Siç shkruan BBC, me 84% të votave të numëruara deri më tani nga zgjedhjet e përgjithshme, blloku i Netanyahut do të fitojë 65 nga 120 vende.

“Ne jemi afër një fitoreje të madhe.”- u tha ai mbështetësve të ngazëllyer në Jerusalem.

Megjithatë, ai do të jetë i varur nga mbështetja e partisë ultra-nacionaliste të Sionizmit Fetar.

Udhëheqësit e saj, Itamar Ben-Gvir dhe Bezalel Smotrich, kanë fituar famë për përdorimin e retorikës anti-arabe dhe përkrahjen e dëbimit të politikanëve apo civilëve “të pa besë” arabë.

Ben-Gvir ishte një ndjekës i të ndjerit, ultra-nacionalistit Meir Kahane, organizata e të cilit ishte e ndaluar në Izrael dhe e cilësuar si një grup terrorist nga Shtetet e Bashkuara. Vetë Ben-Gvir është dënuar për nxitje të racizmit dhe mbështetje të një organizate terroriste.

Muajin e kaluar, Ben-Gvir doli në krye të mediave kur u filmua duke nxjerrë armën pasi u shënjestrua me një gur të hedhur nga palestinezët ndërsa vizitonte një zonë me arabë të Jeruzalemit Lindor të pushtuar dhe duke bërë thirrje që policia të qëllonte fajtorët.

Duke folur me gazetarët të mërkurën, Ben Gvir premtoi të “punojë për të gjithë Izraelin, madje edhe ata që më urrejnë”.

Ish-kryeministri Netanyahu, i shoqëruar nga gruaja e tij Sara, u shfaq në takimin e partisë së tij Likud natën e zgjedhjeve, ku u prit me duartrokitje.

“Ne kemi fituar një votë të madhe besimi nga populli i Izraelit.”- u tha ai mbështetësve të tij.

Disa orë më parë, kur sondazhet parashikuan se blloku i Netanyahut do të fitonte 61 ose 62 vende, salla u kthye në një skenë festimi teksa njerëzit hidheshin lart e poshtë, valëvitnin flamuj dhe brohoritnin pseudonimin e tij, Bibi.

Megjithatë, në kampin e partisë së tij në Tel Aviv, kryeministri aktual Yair Lapid u tha mbështetësve të tij se “asgjë” nuk ishte vendosur ende dhe partia e tij e qendrës së majtë Yesh Atid do të presë për rezultatet përfundimtare.