Vendosni fjalën kyçe....

Djali i ish-Shahut të Iranit i kërkon ndihmë Perëndimit për të rrëzuar qeverinë: Keqardhje që s’më priti Gjermania


Djali i ish-Shahut të Iranit u bëri thirrje vendeve perëndimore të bashkohen në luftën kundër Iranit dhe kritikoi vendimin e qeverisë gjermane për të mos e takuar gjatë vizitës së tij në Berlin të enjten.

Reza Pahlavi, babai i të cilit u rrëzua në revolucionin që solli në pushtet Ajatollah Ruhollah Khomeini në vitin 1979, akuzoi Evropën se po qëndron pasive dhe po lejon qeverinë e Teheranit të vazhdojë shtypjen e përgjakshme të protestave që vranë mijëra njerëz në fund të vitit të kaluar.

“Pyetja nuk është nëse ndryshimi do vijë. Ndryshimi është rrugës,” tha ai në një konferencë për shtyp në Berlin.

“Pyetja e vërtetë është sa iranianë do të humbasin jetën ndërsa komuniteti i demokracive perëndimore vazhdon thjesht të shikojë.”

Demonstrata nga mbështetës dhe kundërshtarë u mbajtën në qendër të Berlinit dhe një person u ndalua pasi Pahlavi, i cili bëri një paraqitje publike, u spërkat me një lloj lëngu të kuq.

Kreu i mundshëm i opozitës

Pahlavi, i cili ka kaluar pjesën më të madhe të jetës në mërgim, u shfaq si një lider i mundshëm i opozitës pasi protesta kundër qeverisë shpërthyen në Teheran dhe qytete të tjera iraniane vitin e kaluar.

Por lëvizjet opozitare në Iran janë thellësisht të përçara dhe shumë qeveri perëndimore kanë qenë të kujdesshme në ofrimin e mbështetjes, pasi mbetet e paqartë se çfarë niveli mbështetjeje gëzon ai, pothuajse gjysmë shekulli pas rrëzimit të sundimit të babait të tij.

Vendet evropiane, përfshirë Gjermaninë, kanë përjashtuar mundësinë e bashkimit me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin, të cilat nisën luftën më 28 shkurt me një valë sulmesh ajrore që vranë udhëheqësin suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, shkruan Reuters.

Vizita e Pahlavit në Gjermani erdhi në një kohë kur përpjekjet për t’i dhënë fund konfliktit duket se kanë ngecur, me Iranin dhe SHBA-të që të dyja po mbajnë bllokada mbi Ngushtica e Hormuzit, një korridor ku kalon rreth një e pesta e naftës botërore.

Ai tha se ishte për të arsdhur keq që qeveria e kancelarit Friedrich Merz nuk i kishte ofruar një takim gjatë vizitës së tij në Gjermani.

“Ushtroni të drejtën tuaj. Si demokraci, ju keni të drejtë të flisni me këdo që dëshironi,” tha ai.