Autoritetet e Koresë së Jugut kanë zbuluar se përplasja midis dy avionëve luftarakë F-15K në vitin 2021 nuk erdhi nga një defekt teknik, por nga pakujdesia e pilotëve që po bënin fotografi dhe video.
Sipas raportit të Bordit të Auditimit dhe Inspektimit, incidenti ndodhi gjatë një misioni në qytetin Daegu, kur njëri prej pilotëve dëshironte të dokumentonte fluturimin e tij të fundit me njësinë ushtarake.
Gjatë kthimit në bazë, piloti i avionit shoqërues nisi të bënte foto me celularin e tij personal. Sapo e vuri re këtë, piloti i avionit lider kërkoi nga bashkëpiloti i tij të filmonte një video të avionit tjetër.
Për të dalë sa më mirë në pamje, piloti shoqërues kreu një manovër të papritur, duke u ngjitur lart dhe duke u përmbysur, gjë që i solli mjetet në një distancë tepër të rrezikshme.
Pavarësisht përpjekjes së avionit lider për të zbritur me shpejtësi për të shmangur goditjen, dy mjetet u përplasën, duke pësuar dëme serioze në krahë dhe te stabilizuesi i bishtit. Sipas raportit, ky lloj veprimi ishte një praktikë e përhapur mes pilotëve të asaj kohe për të festuar fluturimet jubilare.
“Përplasja dëmtoi avionët duke i kushtuar ushtrisë 880 milionë won (rreth 596,000 dollarë) në riparime”, thuhet në raportin zyrtar.
Në përfundim të hetimeve, Bordi vendosi që piloti përgjegjës, i cili tashmë ka lënë ushtrinë për të punuar në aviacionin civil, të paguajë një gjobë prej 88 milionë won, sa një e dhjeta e vlerës së dëmit.
Ky lehtësim u bë pasi u vlerësua se ushtria nuk kishte rregulla të qarta për përdorimin e kamerave personale dhe sepse piloti arriti t’i kthente mjetet sigurt në bazë pas aksidentit.
