Presidenti francez Emmanuel Macron njoftoi këtë të mërkurë vdekjen e një ushtari të dytë francez, i cili shërbente në kuadër të forcave paqeruajtëse të OKB-së në Liban.
Kaporali Anis Girardin ndërroi jetë nga plagët e marra pasi u evakuua drejt Francës pas një sulmi të rëndë gjatë fundjavës në fshatin Al-Randuriya.
Kjo humbje pason vdekjen e kaporalit Florian Montorio, i cili mbeti i vrarë në të njëjtin incident ku u plagosën rëndë edhe tre ushtarë të tjerë, percjell Ynet.
Trupat ishin pjesë e misionit UNIFIL dhe po punonin për pastrimin e rrugës nga municionet dhe rivendosjen e kontakteve me pozicionet e izoluara në momentin kur ranë nën zjarr.
Macron deklaroi se provat e deritanishme drejtojnë nga përgjegjësia e Hezbollahut dhe u bëri thirrje autoriteteve libaneze të marrin masa ndaj autorëve.
Edhe misioni i OKB-së, së bashku me inteligjencën izraelite, konfirmuan se vlerësimet fillestare tregojnë që grupi i mbështetur nga Irani qëndron pas sulmit.
Nga ana tjetër, Hezbollahu ka mohuar përfshirjen në këtë ngjarje dhe ka kërkuar kujdes në deklarata përpara se të përfundojë një hetim zyrtar. Grupi akuzoi kritikët e tij për heshtje në rastet kur Izraeli sulmon forcat e UNIFIL-it.
Presidenti Macron njoftoi se Franca do të nderojë kujtimin e Montorio në një ceremoni zyrtare këtë të enjte, duke vlerësuar guximin dhe vendosmërinë e forcave franceze që shërbejnë në zonat e nxehta të konfliktit.
Ai u shprehu ngushëllimet më të ndjera familjeve të ushtarëve të rënë dhe të plagosur, duke theksuar se Girardin dha jetën në shërbim të kombit.
