Vendosni fjalën kyçe....

Tensione në Konferencën e Kryetarëve, Blushi përplaset me Ballën, kërkohet mocion për debat për protestat



Mbledhja e Konferencës së Kryetarëve është shoqëruar me debate të ashpra mes opozitës dhe mazhorancës, me fokus kryesor protestat që vijojnë në Tiranë prej 25 ditësh.

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, është përplasur me kreun e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, duke kërkuar mbajtjen urgjente të një mocioni me debat në Kuvend lidhur me situatën politike dhe protestat.

Blushi ka akuzuar mazhorancën se po shmang debatet parlamentare për kërkesat e qytetarëve dhe ka kërkuar që kryeministri Edi Rama të përballet në Kuvend me çështjet e ngritura nga protestuesit.

Gjatë debatit, Blushi u shpreh se Kuvendi duhet të reflektojë mbi situatën politike dhe kërkesat e qytetarëve, duke theksuar se sipas tij, protesta përfaqëson një pjesë të madhe të opinionit publik.

“Parlamenti nuk mund të përfaqësojë vetëm interesat e qeverisë, por duhet të trajtojë kërkesat e qytetarëve”, është shprehur ai, duke kërkuar gjithashtu ndryshime kushtetuese për kufizimin e mandatit të kryeministrit në dy mandate.

Blushi ka deklaruar se, sipas tij, kërkesat e protestuesve po gjejnë jehonë edhe në institucionet ndërkombëtare, ndërsa Kuvendi i Shqipërisë po i injoron ato.

Ai ka bërë thirrje që mazhoranca të marrë në konsideratë kërkesat e protestuesve dhe të lejojë zhvillimin e një debati parlamentar urgjent për situatën.

Mbledhja përfundoi pa një marrëveshje mes palëve, ndërsa çështja pritet të diskutohet në seancën plenare të Kuvendit në vijim.