
Kryeministri Rama mori pjesë në Konferencën për Rindërtimin e Ukrainës, e cila zhvillohet me pjesëmarrjen e kryetarëve të shteteve dhe qeverive, institucioneve financiare ndërkombëtare, përfaqësuesve të biznesit dhe organizatave të shoqërisë civile nga mbarë bota.
Në fjalën e tij, Rama u shpreh se Ukraina po rindërtohet ndërsa vazhdon të mbrojë lirinë e saj dhe se Shqipëria mbështet përpjekjet për sigurimin e paqes dhe integrimin europian të vendit.
Ai nënvizoi se rindërtimi i Ukrainës nuk është një akt bamirësie, por strategji për të ardhmen e Europës, duke shtuar se “Ukraina po rindërton guximin e Europës, ndërsa Europa duhet të ndihmojë në rindërtimin e së ardhmes së Ukrainës”.
“Jam i sigurt se kontributi më i mirë që prisni nga unë është një fjalë e shkurtër, këtë do të bëj.
Besoj se koncepti i këtij takimi është shumë i thjeshtë: nëse rindërtimi pret derisa të bjerë plumbi i fundit, atëherë do të jetë tashmë tepër vonë. Dhe pikërisht për këtë arsye jemi sot këtu.
Ndërkohë, Ukraina po rindërtohet, ndërsa njëkohësisht mbron veten. Ky është kuptimi i madh i kësaj konference. Shqipëria është këtu me një bindje shumë të thjeshtë: Ukraina duhet ta sigurojë paqen me të njëjtën vendosmëri me të cilën po mbron lirinë e saj.
Nga ana tjetër, ne e shohim rindërtimin e Ukrainës dhe integrimin europian të Ballkanit Perëndimor si procese që përforcojnë njëri-tjetrin. Të dyja kanë të bëjnë me plotësimin e Europës, forcimin e qëndrueshmërisë së saj dhe uljen e cenueshmërive strategjike.
Natyrisht, rindërtimi nuk është bamirësi, por strategji. Nuk bëhet fjalë vetëm për të riparuar atë që është shkatërruar, por për të ndërtuar një Ukrainë demokratike, europiane, moderne dhe të qëndrueshme, duke treguar se e gjithë Europa është e aftë ta bëjë këtë.
Dhe, në përfundim të kësaj fjale të shkurtër, të cilën jam i bindur se do ta vlerësoni, Ukraina po rindërton guximin e Europës. Europa duhet të ndihmojë në rindërtimin e së ardhmes së Ukrainës”, u shpreh Rama.