Vendosni fjalën kyçe....

Protesta e opozitës mes fotosh


20 qytetarë u shoqëruan nga policia pas protestës së opozitës në Tiranë mbrëmjen e sotme. Mijëra qytetarë u mblodhën para kryeministrisë rreth orës 19:00 siç ishte njoftuar më parë.

Nën thirrjet për “mosbindje civile” dhe parullat kundër qeverisjes aktuale, tubimi nisi përpara godinës së kryeministrisë, duke u pasuar nga një marshim drejt institucioneve kyçe, çka solli bllokimin e qarkullimit dhe një prani të shtuar të forcave të rendit në të gjithë qendrën e kryeqytetit.

Pas disa fjalimeve, i fundit e mori stafetën kreu i demokratëve Berisha. Ai lëshoi akuza të ashpra ndaj kryeministrit Rama dhe qeverisjes së tij ndërsa paralajmëroi se opozita nuk do i ndalë protestat paqësore deri në largimin e qeverisë.

Me përfundimin e fjalës së tij, një grup protestuesish përsëritën ritualin e hedhjes së fishekzjarreve dhe molotovëve drejt godinës së kryeministrisë.

I menjëhershëm ishte reagimi i policisë që u përgjigj me makinat ujëhedhëse dhe spërkatësit me piper.

Nuk i shpëtuan spërkatjes me pipër as Sekretari i Përgjithshëm Noka, deputetët Balliu e Boçi dhe ish-kandidati Kalaja, me këta dy të fundit që u dërguan në spitalin e Traumës për ndihmë mjekësore për shkak të dëmtimit më të rëndë.

Sekretari Noka e kreu i PD-së Berisha lëshuan akuza të forta ndaj kryeministrit Rama duke e akuzuar atë si kreun e narkoshtetit që kishte urdhëruar krerët e policisë të dhunojnë krerët e opozitës.

Në fund kreu i PD-së Berisha falëndëroi pjesëmarrësit në protestë duke u zotuar të vijojë protestat paqësore.