Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi se Presidenti i Libanit, Joseph Aoun dhe Kryeministri Benjamin Netanyahu kanë rënë dakord të nisin një armëpushim 10-ditor, i cili fillon në mesnatën e së mërkurës sipas kohës lokale në Izrael.
Përmes një postimi në Truth Social, Trump i cilësoi bisedat me të dy liderët si “shkëlqyera” dhe e konsideroi këtë si një hap vendimtar drejt paqes afatgjatë, shkuan Ynet.
“Armëpushimi do të fillojë zyrtarisht në mesnatë në Izrael. Ky është një hap drejt arritjes së paqes mes dy vendeve, të cilat së fundmi u takuan në Uashington për herë të parë pas 34 vitesh”, shkroi Trump.
Presidenti amerikan bëri me dije se ka udhëzuar Zëvendëspresidentin JD Vance, Sekretarin e Shtetit Marco Rubio dhe Kryetarin e Shefave të Shtabit, Dan Caine, që të punojnë intensivisht me të dyja palët për të siguruar një marrëveshje të qëndrueshme.
Ai planifikon t’i ftojë Netanyahun dhe Aoun në Shtëpinë e Bardhë për ato që i konsideron si bisedimet e para kuptimplota mes Izraelit dhe Libanit që prej vitit 1983.
“Të dyja palët duan paqe dhe unë kam besim se një marrëveshje mund të arrihet shpejt. Shpresojmë që ky të jetë fillimi i një epoke të re”, u shpreh ai.
Në Liban, presidenca konfirmoi se Aoun e falënderoi Trumpin për përpjekjet e tij, duke insistuar më parë se ndalimi i luftimeve ishte kusht i domosdoshëm për çdo angazhim të drejtpërdrejtë.
Ndërkohë, në Izrael, Netanyahu thirri një mbledhje urgjente telefonike me të gjithë kabinetin e sigurisë për të diskutuar detajet e këtij armëpushimi.
Pavarësisht njoftimit, situata në terren mbetet tejet e tensionuar.
Deri në momentet e fundit para hyrjes në fuqi të marrëveshjes, Hezbollahu ka vazhduar lëshimin e raketave dhe dronëve drejt veriut të Izraelit, ndërsa ushtria izraelite ka vijuar sulmet ajrore në jug të Libanit, duke lënë pikëpyetje mbi zbatimin e plotë të këtij armëpushimi 10-ditor.
