Vendosni fjalën kyçe....

Hotelet pritën 12,7% më shumë të huaj në maj, kryesojnë italianët, pas tyre Kosova


Numri i vizitorëve të akomoduar në strukturat turistike në Shqipëri u rrit me 12,4% në maj 2026, krahasuar me të njëjtin muaj të një viti më pare. Të dhënat e publikuara nga Instituti i Statistikave (INSTAT) mbi strukturat akomoduese konfirmojnë ecurinë pozitive të sektorit të paktën deri në muajin e 5-të të vitit.

Vizitorët rezidentë u rritën me 11,4% në terma vjetorë, ndërsa numri i vizitorëve jo-rezidentë u rrit me 12,7%. Net-qëndrimet gjithsej në strukturat akomoduese shënuan një rritje prej 8% krahasuar me majin 2025.

Sipas INSTAT net-qëndrimet e vizitorëve rezidentë u rritën me 6%, ndërsa ato të vizitorëve jo-rezidentë u shtuan me 8,6%. Të dhënat përfshijnë aktivitetin e hoteleve dhe strukturave të tjera akomoduese turistike në vend.

Referuar shifrave Italia mbeti vendi kryesor i origjinës së vizitorëve të huaj të akomoduar në Shqipëri, me 19% të totalit. Kosova përbënte 11% të vizitorëve jo-rezidentë, e ndjekur nga Gjermania me 10%, Franca me 9% dhe Polonia me 6%.

Vizitorët nga vendet e tjera përbënin 45% të totalit të vizitorëve të huaj. Norma e shfrytëzimit të dhomave në hotele arriti në 29,8% në maj 2026, nga 28,7% në të njëjtin muaj të vitit të kaluar.

Rritja e normës së shfrytëzimit të dhomave ishte 1,1 pikë përqindjeje në krahasim me majin 2025.

Turizmi i minutës së fundit po shfaq dobësi

Ecuria e turizmit këtë vit sidomos në këtë sezon veror po vihet në pikëpyetje për shkak të tendencave jo të njëtrajtshme që po shfaqen në segmente të ndryshëm. Kështu në zonën e Durrësit dhe Golemit operatorët hotelierë konfirmojnë se ka një ecuri të mirë të kontratave të garancisë që janë turistët që vijnë të organizuar por ata që rezervojnë në moment të fundit kanë ardhur në rënie.

Strukturat sipas politikave që aplikojnë llogarisin që 80 për qind të kapaciteteve ti japin me kontrata garancie kurse 20 për qind llogariten për rezervimet individuale që bëhen gjatë sezonit. Luhatje kanë treguar edhe rajone të ndryshme në vend kryesisht në Jug por vetëm fundi i verës do të japë një panoramë të qartë mbi bilancin./Monitor