Vendosni fjalën kyçe....

AMP pezullon dy efektivë në Dibër


Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka zbatuar një urdhër të Prokurorisë Dibër, e cila ka vendosur masa sigurie personale ndaj dy efektivëve të policisë, të dyshuar për “shpërdorim detyre”.

Masat e vendosura përfshijnë pezullimin nga detyra dhe ndalimin e daljes jashtë vendit, në përputhje me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale. Të përfshirë janë dy inspektorë me inicialet D.S.: njëri pjesë e shërbimit të trafikut urban dhe interurban pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, dhe tjetri efektiv i rendit publik në Komisariatin e Policisë Bulqizë.

Vendimi vjen në kuadër të një procedimi penal të regjistruar gjatë vitit 2026, që lidhet me një ngjarje të ndodhur më 10 mars në qytetin e Bulqizës, ku mbetën të plagosur rëndë tre shtetas. Nga hetimet paraprake ka rezultuar se punonjësit e policisë nuk kanë zbatuar siç duhet detyrimet funksionale që rrjedhin nga ligji për Policinë e Shtetit.

Autoritetet bëjnë me dije se hetimet janë ende në vijim, me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave dhe verifikimin e mundshëm të përfshirjes së personave të tjerë në këtë çështje.

Njoftimi

“Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Kukës – Dibër) ka ekzekutuar urdhërin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, e cila ka caktuar masat e sigurimit personal “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit”, parashikuar nga nenet 242 dhe 233 të Kodit të Pr. Penale, ndaj dy punonjësve të policisë të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Inspektor D. S., me detyrë Trupë Shërbimi i Trafikut Urban dhe Interurban, pranë DVP Dibër.

Inspektor D. S., me detyrë Trupë Shërbimi i Rendit Publik në Komisariatin e Policisë Bulqizë, pranë DVP Dibër.

Caktimi i masave të sigurisë u bë i mundur në kuadër të procedimit penal të vitit 2026, në lidhje me ngjarjen e datës 10.03.2026 në qytetin e Bulqizës, ku kanë mbetur të plagosur rëndë 3 shtetas. Nga veprimet e thelluara hetimore ka rezultuar se këta punonjës policie nuk kanë përmbushur detyrat funksionale në zbatim të Ligjit për Policinë e Shtetit.

Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe përfshirjen e mundshme të punonjësve të tjerë.”