Vendosni fjalën kyçe....

Pakistani pezullon shitjen e 1.5 miliardë dollarë armatimeve ndaj Sudanit pas kundërshtimit të Arabisë Saudite


Pakistani ka pezulluar një marrëveshje prej 1.5 miliardë dollarësh për furnizimin me armë dhe avionë gjuajtës ndaj Sudanit, pasi Arabia Saudite kërkoi ndërprerjen e kontratës dhe deklaroi se nuk do ta financojë atë.

Ky vendim vjen në një kohë kur konflikti në Sudan, që zgjat prej rreth tre vitesh, ka shkaktuar një krizë të rëndë humanitare dhe është kthyer në një pikë përplasjeje për interesat e huaja.

Marrëveshja, e raportuar fillimisht në janar, ishte ndërmjetësuar nga Arabia Saudite dhe përfshinte sisteme armatimi pakistaneze që fituan vëmendje pas përplasjeve me Indinë vitin e kaluar, shkruan Reuters.

Megjithatë, marrëdhënia e ngushtë mes Islamabadit dhe Riadit, e forcuar edhe nga një pakt mbrojtjeje reciproke, ka bërë që Pakistani t’i bindet sinjalizimeve saudite.

“Arabia Saudite ka sinjalizuar se Pakistani duhet ta ndërpresë marrëveshjen pasi ajo hoqi dorë nga ideja e financimit të saj”, tha një nga burimet e sigurisë.

Sipas burimeve diplomatike, disa vende perëndimore e kanë këshilluar Rijadin që të qëndrojë larg luftërave përmes palëve të treta në Afrikë. Ndryshimi i strategjisë saudite duket se ka prekur edhe një tjetër marrëveshje të madhe prej 4 miliardë dollarësh me Ushtrinë Kombëtare Libiane, e cila tashmë konsiderohet në rrezik.

“Një tjetër marrëveshje prej 4 miliardë dollarësh me Ushtrinë Kombëtare Libiane… ishte gjithashtu në rrezik sepse sauditët po ‘rishikojnë strategjinë e tyre’ në të dy vendet”, bëri me dije një burim i dytë i sigurisë.

Ndërkohë që Emiratet e Bashkuara Arabe akuzohen për mbështetje ndaj forcave paraushtarake RSF në Sudan, Arabia Saudite ka rreshtuar peshën e saj krah ushtrisë sudaneze, por duket se po tërhiqet nga mbështetja ushtarake direkte përmes blerjeve të armatimit në Pakistan pas takimeve të fundit zyrtare në Rijad.