
Dorjan Teliti, koordinator i programit ekonomik në Partinë Demokratike dhe njëkohësisht nënkryetar i grupit të këshilltarëve të opozitës në Këshillin Bashkiak të Tiranës, gjatë një interviste në News24 u ndal te roli i protestave si mjet presioni ndaj qeverisë për zgjidhjen e problemeve që prekin qytetarët.
Ai solli si shembull situatën e fundit me çmimet e karburanteve dhe reagimin e autoriteteve pas reduktimit të flotës së transportit urban nga operatorët privatë. Sipas Telitit, ky zhvillim tregoi qartë se institucionet reagojnë vetëm kur përballen me presion të drejtpërdrejtë.
“Qytetarët e morën sot mesazhin se pa reagim dhe pa protestë, qeveria nuk ndërhyn,” u shpreh ai, duke shtuar se lëvizja e operatorëve të transportit ishte momenti që detyroi mazhorancën të premtonte rishikimin e taksës së karburantit.
Teliti theksoi se protesta mbetet, sipas tij, mekanizmi i vetëm efektiv për të detyruar qeverinë të reflektojë dhe të marrë masa konkrete.
“Vetëm kur u ngritën në protestë operatorët e transportit urban, pati reagim nga qeveria. Kjo tregon se është e vetmja mënyrë për ta detyruar të ulet në dialog,” deklaroi ai.
Në këtë kuadër, ai u bëri thirrje qytetarëve që t’i bashkohen protestës së paralajmëruar për 17 prill, duke argumentuar se vetëm përmes presionit publik mund të arrihen ndryshime konkrete. Sipas tij, qeveria nuk ndërmerr iniciativa për zgjidhjen e problemeve nëse nuk përballet drejtpërdrejt me kërkesat e qytetarëve.