
Ka hyrë në fuqi këtë të diel Traktati i Miqësisë dhe Bashkëpunimit mes Francës dhe Portugalisë, një marrëveshje që synon forcimin e marrëdhënieve dypalëshe në fusha të ndryshme strategjike, përcjell Euronews.
Dokumenti u nënshkrua në Porto në shkurt 2025 nga presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministri portugez Luís Montenegro, duke u cilësuar si një hap i rëndësishëm për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.
Në reagimin e tij, Macron theksoi se traktati do të vihet “në shërbim të francezëve dhe portugezëve, si dhe të një Europe që vendos vetë, më konkurruese, më sovrane dhe më e fortë”.
Marrëveshja parashikon rritjen e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, me fokus të veçantë në mbrojtjen e infrastrukturave kritike dhe përballjen me kërcënimet hibride, sidomos në hapësirën kibernetike.
Gjithashtu, Franca dhe Portugalia angazhohen për të forcuar lidhjet energjetike me Gadishullin Iberik, në një kohë kur diskutimet për integrimin e rrjeteve elektrike europiane janë rikthyer pas ndërprerjeve të mëdha të energjisë në rajon.
Në planin ekonomik, traktati synon mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, si dhe promovimin e një “ekonomie blu” të qëndrueshme në Oqeanin Atlantik.
Zbatimi i marrëveshjes do të ndiqet përmes takimeve të rregullta të nivelit të lartë mes dy qeverive, ndërsa të dy vendet synojnë gjithashtu të rrisin bashkëpunimin në arsim, përmes nxitjes së mobilitetit studentor dhe trajnimit të mësuesve.
Sipas të dhënave zyrtare, Franca ishte partneri i tretë tregtar i Portugalisë në vitin 2025, ndërsa komuniteti portugez në Francë mbetet ndër më të mëdhenjtë në vend.