Vendosni fjalën kyçe....

“Kërkojnë dorëheqjen e Ardi Veliut? Ta harrojnë!”- Edi Rama


Kryeministri Edi Rama thotë se kush do dorëheqjen e kreut të Policisë së Shtetit Ardi Veliur, pas vrasjes së Klodian Rashës dhe protestave, ta harrojë këtë.

“Kërkojnë dorëheqjen e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë se ndryshe do djegin e shkatërrojnë? Ta harrojnë! Gabon shumë kush kujton se qytetaria e ministrit të brendshëm është dobësi dhe harron se ky shtet është i qytetarëve jo i barbarëve! Pushteti merret me votë jo me djegie!

Policia e Shtetit as do merret dot peng, as do lëkundet dot nga politika e vjetër e dhunës e nga dhunuesit e nxitur prej saj! Policia e Shtetit nuk është një polic që vrau e që sot është në duart e drejtësisë dhe kush nuk do të respektojë ligjin do përballet me forcën e ligjit!

Ne nuk do të lejojmë askënd që të rrënojë çka është ndërtuar me mund e me punë të madhe dhe Policia e Shtetit është një nga shembujt e ndryshimit, që vazhdon me mundin e shumë njerëzve çdo ditë! Shantazhet dhe dhuna ndaj policisë nuk kanë lidhje as me lirinë as me demokracinë!”– shkruan Rama.

Dorëheqja e ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj nuk ishte e mjaftueshme për protestuesit, pas ngjarjes së rëndë të 8 dhjetorit kur një efektiv policie vrau me armë zjarri 25-vjeçarin Klodian Rasha, i cili kishte shkelur orën policore.

Mbi të gjitha pas shoqërimit të dhunshëm të disa protestuesve, përfaqësues nga turma dhe opozita ka kërkuar që të japë dorëheqjen edhe shefi i Policisë Ardi Veliu.

Madje Lëvizja Vetëvendosje në Shqipëri, ka kërkuar jo thjesht dorëheqjen por arrestimin e tij, duke e konsideruar përgjegjës për dhunën e policisë.