
Shefi i ushtrisë së Ugandës, Gjenerali Muhoozi Kainerugaba, ka bërë dy kërkesa të pazakonta ndaj Turqisë. Kërkesa e parë është një shumë prej 1 miliard dollarësh për kontributin afatgjatë ushtarak të Ugandës në Somali në luftën kundër militantëve. E dyta, që me shumë gjasë është bërë me shaka, është dërgimi i “gruas më të bukur rë Turqisë”, për ta marrë për bashkëshorte.
Edhe pse kjo kërkesë ka shkaktuar reagime negative, nuk është hera e parë që Kainerugaba bën deklarata të tilla të çuditshme dhe seksiste. Në vitin 2022, ai ofroi 100 lopë për Italinë në këmbim të martesës me kryeministren Giorgia Meloni.
Tani, vite më vonë, ai ka kërkuar që Turqia t’i “dorëzojë” gruan më të bukur si bashkëshorte.

Nëse Ankaraja nuk përmbush kërkesën brenda 30 ditëve, Kainerugaba ka kërcënuar me pasoja të rënda diplomatike, përfshirë mbylljen e ambasadës turke në Kampala.
Gjenerali Kainerugaba është djali i presidentit të Ugandës, Yoweri Museveni.
Në një seri postimesh në platformën X, ai akuzoi Turqinë se po përfiton nga marrëveshjet infrastrukturore në Somali, përfshirë operimin e porteve dhe aeroportit në Mogadishu, ndërsa Uganda ka mbajtur barrën kryesore të sigurisë duke luftuar militantët e lidhur me Al-Qaeda dhe grupin Al-Shabab për gati dy dekada.
Ai kërkoi 1 miliard dollarë si “dividend sigurie” dhe shtoi edhe kërkesën personale për martesë.
“Në krye të 1 miliard dollarëve nga Turqia, dua edhe gruan më të bukur në atë vend për bashkëshorte!” – shkroi ai.
Në rast mosplotësimi, ai paralajmëroi se Uganda mund të ndalojë fluturimet e Turkish Airlines dhe të ndërpresë marrëdhëniet diplomatike me Turqinë.
“Për Turqinë është një marrëveshje shumë e thjeshtë…Ose paguani, ose mbyllni ambasadën këtu,” shkroi ai.
Ai shtoi gjithashtu: “Nëse Turqia nuk adreson problemet tona, do ndërpresim marrëdhëniet diplomatike brenda 30 ditëve.”
Paralelisht, Kainerugaba shprehu mbështetje për Izraelin, duke deklaruar se është i gatshëm të dërgojë 100,000 ushtarë ugandezë për të mbrojtur “Tokën e Shenjtë”.
Një histori deklaratash të pazakonta
Kjo nuk është hera e parë që Kainerugaba bën deklarata të tilla. Në tetor 2022, ai ofroi 100 lopë Ankole – të cilat i quajti “lopët më të bukura në botë” – për t’u martuar me Giorgia Melonin.
Madje ai shtoi edhe një kërcënim: nëse oferta hdhej poshtë, Uganda mund të “pushtonte Romën”.
Si reagim, babai i tij, presidenti Yoweri Museveni, u detyrua të kërkonte falje dhe e kritikoi për ndërhyrje në “punët e brendshme të vendeve mike”.
Po në vitin 2022, Kainerugaba kërcënoi edhe Kenian, duke thënë se do t’i duheshin më pak se dy javë për të pushtuar Nairobin. Kjo deklaratë çoi në shkarkimin e tij të përkohshëm dhe një tjetër falje zyrtare nga presidenti.
Reagimet zyrtare
Deri tani, as Turqia dhe as Somalia nuk kanë reaguar publikisht ndaj këtyre deklaratave. Autoritetet ugandeze gjithashtu nuk kanë sqaruar nëse këto qëndrime përfaqësojnë politikën zyrtare të shtetit apo janë thjesht opinione personale të gjeneralit, shkruan Indiatoday.