Vendosni fjalën kyçe....

“Rama e ka kthyer Kuvendin në leckë të vetën“ –Berisha



Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një fjalimi në Kuvend, akuzoi kryeministrin Edi Rama dhe qeverinë e tij se po përdorin Parlamentin për të mbrojtur vjedhjet dhe interesat e tyre personale.

Berisha u shpreh se ligji dhe Kushtetuta nuk respektohen, ndërsa interpelancat nuk negocohen dhe afatet e tyre nuk respektohen sipas rregullave. Ai tha se debati për integrimin europian u shty qëllimisht për të mos hapur çështjen e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, të cilën e cilësoi si pjesë të një “klani familjar dhe qeveritar” të përfshirë në korrupsion.

“Ky Parlament është shndërruar në mburojën më të turpshme të vjedhjeve të qytetarëve shqiptarë. Rama e ka kthyer Kuvendin në leckë të vetën. Shqiptarët nuk kanë parë kurrë një situatë të tillë në 35 vite pluralizëm,” tha Berisha.

Ai përmendi gjithashtu raste të tjera si ato të Olta Xhaçkës, duke theksuar se vendimet gjyqësore për ndërprerjen e mandateve nuk respektohen dhe se debati shtyhet për interesa të kryeministrit. Berisha akuzoi drejtuesit e Kuvendit për dobësi në zbatimin e rregullores dhe për mosrespektim të vendimeve të gjykatës.