Vendosni fjalën kyçe....

Skema e re Kombëtare/ Më shumë para për fermerët, zv.ministri i bujqësisë: Fondet do të jepen me kushte


Skema kombëtare e mbështetjes së fermerëve prej 5.2 miliardë lekë, vjen me një sërë ndryshimesh. Zëvendësministri i Bujqësisë Arian Jaupllari sqaron në emisionin “Portofol” në Report TV, se skema e re ka më shumë financim për fermerët.

“Në 2025-ën skema kishte 4.4 miliardë lekë në 2026-ën ka shkuar 5.2 miliardë, që do të thotë që 0.8 miliard lekë janë më shumë. Do të thotë që do t’u jepet më shumë para fermerëve“, thotë Jaupllari.

Blegtoria merr në shumë financim, ndërsa fermerëve do t’u mungojnë aplikimet për naftën pa taksa pas 5 vitesh në fuqi. Jaupllari sqaron se vendimi për të hequr naftën i mor pasi është gjykuar që do të mbulohet me kompensimin e faturave me 10%, që fermerët do të marrin nga subjektet grumbulluese apo agroturizmat.

 “Në qoftë se gjerë dje ne jepnim para për të subvencionuar naftën, sot nuk kemi vetëm një, por kemi katër masa dhe masa kryesore. Tashmë ju është bërë e ditur fermerëve ky 10% që ata do shesin tek subjektet me TVSH, do të marrin 10% të faturës kompensim mbrapsht. Tek kompensimi 10% hyn inputet, nafta dhe plehrat dhe të gjitha”, thotë zëvendësministri.

Numri maksimal i përfituesve nga nafta ka qenë 54 mijë në vitin 2024, ndërsa buxheti i shpenzuar për këtë skemë 5 vjeçare mbi 87 milionë euro.

Zëvendësministri bën thirrje që fermerët të shkojnë vetëm në subjekte që kanë xhiro mbi 100 mijë euro në vit, në mënyrë që fatura që ata marrin prej tyre të përdoret për kompensim.

“Një fermer që do bëjë 100 kuintalë kastravecë edhe do t’i çojë në një subjekt me TVSH, do marrë 10% mbrapsht. Por subjekti duhet të jetë me TVSH, jo te subjektet e tjera te marketi i lagjes, te një baxho e cila nuk ka TVSH, edhe pse mund të lëshojë faturë nuk do tu njihet”, thotë Jaupllari.

Zëvendësministri sqaron që këtë vit do të synohet që aplikimi të bëhet fizikisht nga fermerët.

” Ne skemën duhet aplikimet do jenë online por do ngulmojmë që aplikimet të bëhen te AREB-et tona sepse marrin informacionin më të qartë, do t’i ndihmojnë më shumë ata, por do të angazhojmë të gjitha bashkitë që t’i sjellin fermerët aty dhe t’i ndihmojnë, se nganjëherë e humbin për diçka të vogël. Janë me mijëra që janë eliminuar nga skema për një copë letër që s’kanë bërë si duhet“, sqaron ai.

Jaupllari thotë se aplikimet nisin pas 20 prillit.

“Pas datës 20 prill, mund të hapen, në varësi se kur firmoset udhëzimi dhe po, jemi pak si vonë, për shkak të konsultimeve në terren”, tha Jaupllari.

Me skemën e re qeveria mbështet me 10 mijë lekë çdo krerë lope për tufa jo më të vogla se 5 bagëti, dhe jep 1500 lekë për të imtat për tufa jo më të vogla se 50 krerë.

Për herë të parë financimi për dosat në 7 mijë lekë për krerë, kush ka tufë jo më pak se 5 krerë. Kurse për bletarinë, jepet 20 mijë lekë për zgjua, për ferma me jo më pak se 25 koshere.

Ndër të tjera Jaupllari njofton se skema e investimeve do të rihapet përsëri në qershor.

“Por skema nuk mbaron këtu sepse ne mund të kemi një thirrje përsëri edhe të skemës investimeve që do jetë ndoshta gjashtë mujorin e dytë pas qershorit një hapje të thirrjes së re dhe në këtë skemë të investimeve kur numri i atyre që do aplikojnë dhe masave që ne kemi parashikuar është shumë më nxitëse dhe shumë atraktive për t’i lejuar fermerët që të futen sa më shumë veta në skemë”, shprehet zëvendësministri.