
India është vendi që ka qytetin më të ndotur në botë, sipas raportit të fundit për cilësinë e ajrit nga IQAir. Studimi përfshin të dhëna nga 9,446 qytete në 143 shtete dhe tregon një përkeqësim të përgjithshëm të cilësisë së ajrit në nivel global, përcjell Euronews.
Sipas raportit për vitin 2025, vetëm 14% e qyteteve në botë kanë ajër brenda niveleve të sigurisë, nga 17% që ishte një vit më parë. Ndër arsyet kryesore përmenden ndryshimet klimatike, zjarret masive, stuhitë e pluhurit dhe fenomenet ekstreme të motit.
Organizata Botërore e Shëndetësisë përcakton kufijtë e sigurt për grimcat PM2.5, të cilat janë shumë të rrezikshme për shëndetin pasi depërtojnë në mushkëri dhe në qarkullimin e gjakut, duke shkaktuar sëmundje të frymëmarrjes, probleme të zemrës dhe kancer.
Në Evropë, vetëm Andorra, Estonia dhe Islanda plotësojnë standardet e sigurisë për vitin 2025. Në total, 91% e vendeve të analizuara nuk i përmbushin këto standarde.
Pesë vendet më të ndotura në botë janë Pakistani, Bangladeshi, Taxhikistani, Çadi dhe Republika Demokratike e Kongos.
Sa i përket qyteteve, 25 më të ndoturat ndodhen në Indi, Pakistan dhe Kinë. Qyteti më i ndotur është Loni, me ndotje shumë më të lartë se kufiri i lejuar.
Në anën tjetër, vendi me ajrin më të pastër është Nieuwoudtville.
Raporti thekson se edhe në Evropë situata mbetet shqetësuese. Ndotja është rritur në Zvicër dhe Greqi, kryesisht për shkak të zjarreve dhe pluhurit nga Sahara.
Ndërkohë, qytete si Parisi, Pekini, Dhaka, Wuhan dhe Seuli renditen aktualisht ndër më të ndoturat në botë, ndërsa edhe Londra është në mesin e tyre.
Ekspertët paralajmërojnë se djegia e karburanteve fosile dhe ndotja industriale, veçanërisht në Evropën Lindore dhe Ballkan, vijojnë të ndikojnë negativisht në cilësinë e ajrit.