Vendosni fjalën kyçe....

Sherr në IKMT, drejtorët përplasen fizikisht brenda institucionit


Një incident i rëndë është regjistruar në ambientet e Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT), ku është dhunuar drejtori i Ekzekutimit të Vendimeve, Fatmir Meta.

Sipas burimeve, Meta është sulmuar nga Klesti Çela, drejtori i Mjedisit dhe kunati i Ergys Agasi, së bashku me tre persona të tjerë, raporton Balkanweb.

Ngjarja dyshohet se ka ardhur pas një përplasjeje verbale të ndodhur një ditë më parë mes palëve.

Burime brenda institucionit bëjnë me dije se konflikti lidhet me një grup inspektimi për çështjen e dherave. Sipas tyre, Fatmir Meta ka bllokuar mjetet e subjekteve që derdhnin dhera në rrethinat e Tiranës, çka ka sjellë tensione mes drejtuesve.

Pas debatit fillestar, një ditë më pas, situata ka degraduar në dhunë fizike brenda ambienteve të institucionit, ku raportohet se janë përdorur edhe qyta pistoletash.

Sipas informacioneve paraprake, Meta është goditur nga Çela dhe personat që e shoqëronin, ndërsa rrethanat e plota të ngjarjes mbeten ende për t’u sqaruar.

Pas incidentit, mësohet se Çela ka shkuar në zyrën e Afrim Qendros, ku ka kërkuar dorëheqjen.

Deri në këto momente nuk ka një reagim zyrtar nga IKMT apo nga palët e përfshira, ndërsa pritet që rasti të hetohet nga organet kompetente.