
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër pas zgjedhjes së Endrit Shabanit si Avokat i Popullit me votat e Partisë Socialiste.
Në një deklaratë për mediat, Berisha e cilësoi procesin si një “rrëmbim” të institucionit të fundit të pavarur nga maxhoranca.
Berisha u shpreh se PS refuzoi çdo kandidaturë të propozuar apo mbështetur nga PD, duke përmendur konkretisht Besim Ndregjonin dhe Adriana Kalanë.
Sali Berisha: Një proces i instaluar prej shumë vitesh u përmbys dje duke rrëmbyer dhe institucionin e fundit. Kishte ngelur gjysmë, sepse zonja Ballanca ka qenë kandidaturë e pëlqyer nga të dyja palët. Ky segment kishte ngelur. Refuzoi në mënyrë kategorike Besim Ndregjonin, Adriana Kalanë, çdo kandidaturë të mbështetur nga PD dhe grabiti opozitën që donte në kundërshtim, duke i futur një thikë të madhe një procesi delikat e vështirë, por që dëshmon se Rama është i gatshëm të shkelmojë çdo gjë.
Nuk po ndalem në zgjedhjen e kreut të SPAK, edhe përqendrimi aq i lartë i trupit diplomatik, lë shumë të dyshohet se u bë me qëllimin e vetëm për të neutralizuar dorën e zezë të Ramës dhe anëtarëve të KLP-së. Kanë qenë ambasadorë, por jo të gjithë ashtu siç ishte. Donin të jepnin mesazh që qeveria të mos mund të merrte, siç mori Endri Shabanin, edhe kandidatin që donin në këtë proces.