
Policia e Krujës ka reaguar pas zbulimit të automjetit të djegur në fshatin Halil, që dyshohet se është përdorur nga autorët e atentatit të ndodhur sot pranë aeroportit të Rinasit.
Në njoftimin zyrtar thuhet se brenda automjetit tip “Toyota” janë gjetur katër armë zjarri, të cilat dyshohet se u përdorën gjatë ekzekutimit të Gilmando Danit, ndërsa u plagos rëndë Muçi Shaljani (Sheqeri).
“Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të zonës, në fshatin Halil, kanë konstatuar duke u djegur një automjet tip Toyota, që dyshohet se është përdorur nga autorët e ngjarjes së ndodhur në Rinas.
Në automjet janë konstatuar 4 armë zjarri që dyshohet se janë përdorur në këtë ngjarje.
Armët do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore.
Në drejtimin e Prokurorisë vijon puna për dokumentimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve,” – njofton Policia e Krujës.
Grupet hetimore janë ende në terren, ndërsa pista kryesore e hetimeve lidhet me përplasjet mes grupeve kriminale.