Vendosni fjalën kyçe....

Kreu i Hezbollahut paralajmëron përshkallëzim: Çdo çmim është më i ulët se çmimi i dorëzimit


Shefi i Hezbollahut, Naim Qassem, paralajmëroi të martën se sulmet ajrore izraelite në Libanin e Jugut po e çojnë rajonin drejt një konflikti më të gjerë, duke thënë se situata aktuale “nuk mund të vazhdojë më kështu”.

Në një fjalim sfidues të mbajtur në Bejrut, Qassem akuzoi Izraelin për “agresion” dhe për kërcënim ndaj sovranitetit të Libanit, duke theksuar se grupi i mbështetur nga Irani nuk do të çarmatoset pavarësisht presioneve ndërkombëtare, përcjell Ynet.

“Ne nuk mund ta zëvendësojmë marrëveshjen e armëpushimit. Ajo duhet të zbatohet,” – deklaroi ai. – “Ekzistenca jonë përdoret si justifikim nga izraelitët. Ata duan të na shkatërrojnë. Përballemi me një kërcënim real ekzistencial dhe kemi të drejtën të bëjmë gjithçka për ta përballuar atë. Frikësimet dhe presionet nuk do ta ndryshojnë qëndrimin tonë – ne do të mbrojmë tokën, popullin dhe nderin tonë. Nuk do të heqim dorë nga armët që na lejojnë të mbrojmë veten.”

Qassem shtoi se çdo përpjekje për ta detyruar Hezbollahun të dorëzojë armët është e kotë:

“Ne jemi ata që po sulmohemi dhe do të mbrohemi. Çdo çmim është më i ulët se çmimi i dorëzimit, dhe horizonti i fitores do të hapet. Ne jemi të sigurt se do të fitojmë. Kur vdesim, fitojmë.”

Sipas tij, marrëveshja e armëpushimit “vlen vetëm për zonat në jug të lumit Litani”, ndërsa përgjegjësia për zbatimin e saj i takon shtetit të Libanit. Ai paralajmëroi se “nëse jugu i Libanit gjakoset, do të gjakoset i gjithë Libani”.

Në vijim, Qassem akuzoi Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara se po ndërhyjnë drejtpërdrejt në punët e brendshme të Libanit:

“Amerika dhe Izraeli po ndërhyjnë në të ardhmen e Libanit, në ushtrinë, ekonominë, politikën dhe pozitën e tij. Ata duan të eliminojnë aftësinë e Libanit për t’u mbrojtur dhe duan ta armatosin ushtrinë vetëm aq sa të përballet me rezistencën, por jo me armikun izraelit. Izraeli kërkon që Libani të kthehet në oborrin e pasmë të projektit të Izraelit të Madh.”

Fjalimi i Qassemit erdhi në një kohë kur Izraeli ka shtuar sulmet ajrore dhe tokësore në Libanin e Jugut, në kuadër të presionit që ushtron ndaj ushtrisë libaneze për të intensifikuar kërkimet “shtëpi më shtëpi” për armët e Hezbollahut.

Një raport i agjencisë Reuters ka bërë të ditur se kërkesa e Izraelit për kontrolle më të ashpra u hodh poshtë nga komanda e ushtrisë libaneze, e cila paralajmëroi se masa të tilla “mund të shkaktojnë konflikt të brendshëm” dhe të minojnë procesin e çarmatimit që konsiderohet “i matur, por efektiv”.

Burime nga Bejruti thonë se ushtria libaneze është e bindur se deri në fund të vitit 2025 do të mund të deklarojë jugun e vendit “të lirë nga armët e Hezbollahut”, në përputhje me marrëveshjen e armëpushimit.

Ndërkohë, përplasjet e fundit tregojnë se tensionet në kufirin izraelito-libanez po arrijnë një pikë të rrezikshme, duke ngritur shqetësime për mundësinë e një lufte të re në Lindjen e Mesme.