Vendosni fjalën kyçe....

Makina digjet në Halil të Krujës, dyshohet se është përdorur në atentatin ndaj Gilmando Danit


Një automjet është gjetur i djegur pasditen e sotme në fshatin Halil të Krujës, ndërsa dyshohet se i përket autorëve të atentatit të ndodhur në afërsi të aeroportit të Rinasit, ku mbeti i vrarë Gilmando Dani, i njohur si krahu i djathtë i Emiljano Shullazit.

Sipas burimeve të para nga vendngjarja, automjeti është djegur plotësisht, një metodë e njohur që autorët përdorin zakonisht për të humbur gjurmët pas kryerjes së krimeve të rënda.

Policia ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe po kryen veprimet hetimore për të përcaktuar nëse makina e djegur është e njëjtë me atë që u përdor në atentatin në Rinas.

Grupi hetimor është vënë në ndjekje të pistës kryesore, ndërsa kontrollet po shtrihen në zonën e Fushë-Krujës dhe rrugët që lidhin drejt Thumanës e Milotit, me qëllim identifikimin e autorëve që u larguan pas ekzekutimit të Gilmando Danit.