Vendosni fjalën kyçe....

Trump kërcënon me tarifa “masive” Kinën pas kufizimeve të Pekinit për eksportin e mineraleve të rralla


Presidenti amerikan Donald Trump ka rindezur tensionet tregtare me Kinën duke kërcënuar sërish me vendosjen e “tarifave masive” ndaj produkteve kineze, pas vendimeve të Pekinit për të kufizuar eksportin e mineraleve të rralla, të cilat janë thelbësore për industrinë amerikane.

Lajmi erdhi pasi Wall Street regjistroi rënie të ndjeshme, ndërsa investitorët u alarmuan nga rritja e mundshme e konfliktit tregtar mes dy ekonomive më të mëdha në botë, përcjell The Guardian.

Trump gjithashtu sugjeroi se takimi i planifikuar me presidentin kinez Xi Jinping në Korenë e Jugut mund të mos zhvillohet.

“Një nga politikat që po shqyrtojmë në këtë moment është një rritje masive e tarifave mbi produktet kineze që vijnë në Shtetet e Bashkuara,” shkroi Trump në platformën e tij, Truth Social. Ai akuzoi Kinën për veprime “jashtëzakonisht armiqësore” që synojnë të kontrollojnë tregun global të mineraleve të rralla.

Kina prodhon më shumë se 90% të mineraleve të rralla të përpunuara dhe magnetëve të rrallë, elementë kyç për prodhimin e makinave elektrike, motorëve të avionëve dhe pajisjeve të tjera industriale.

Sipas Trump, Shtetet e Bashkuara kanë pozicione monopolistike edhe më të forta dhe më të gjerë, duke i dhënë vendit një avantazh strategjik.

Përveç kërcënimeve për tarifa, presidenti amerikan ka përdorur edhe taktikën e presionit diplomatik, duke kërkuar masa kundër politikave kineze, ndërkohë që tregjet globale priten të ndikohen nga një përshkallëzim i mundshëm i luftës tregtare.

Ekspertët e ekonomisë paralajmërojnë se një rritje e tarifave mund të çojë në shtrenjtime të produkteve për konsumatorët amerikanë dhe të tensionojë më tej marrëdhëniet ekonomike mes dy fuqive globale.

Wall Street reagoi menjëherë: indeksi S&P 500 u ul për 1.5%, Dow Jones 0.8%, ndërsa tregjet kryesore evropiane, përfshirë FTSE 100 në Londër, regjistruan rënie 0.9%.

Trump ka përdorur tarifat si një nga shtyllat kryesore të politikës së tij ekonomike, duke argumentuar se taksat më të larta mbi importet do të forcojnë ekonominë amerikane dhe do të rrisin të ardhurat federale.

Megjithatë, analiza tregtare tregon se pasojat mund të ndihen tek çmimet për konsumatorët dhe stabiliteti i tregjeve globale.