Vendosni fjalën kyçe....

Berisha akuza të reja për dosjen McGonigal: Përfshihet edhe ‘dimensioni kinez’


Kreu i opozitës, Sali Berisha, ka lëshuar sot akuza të reja të forta në lidhje me dosjen McGonigal, duke e cilësuar atë një skandal ndërkombëtar ku, sipas tij, përfshihen emra të njohur si ish-agjenti i FBI-së Charles McGonigal, kryeministri Edi Rama dhe përfaqësues të shërbimeve sekrete kineze.

Në një konferencë për media, Berisha tha se më 9 shtator 2017, McGonigal, i identifikuar në dokumente si “Eye One”, ka zhvilluar një darkë private me kryeministrin Rama në Tiranë, ku ka qenë i pranishëm edhe këshilltari i afërt i tij, Dorian Duçka, me pasaportë diplomatike.

“Pas kësaj darke, McGonigal i dërgon mesazh eprorëve të tij se ishte me kryeministrin e Shqipërisë dhe se po diskutonin për reformën në drejtësi. Por në realitet, në këtë takim ai kërkoi nga Rama që t’i hiqej licenca një kompanie ruse dhe t’i jepej një kompanie tjetër, gjithashtu ruse,” deklaroi Berisha.

Ai shtoi se McGonigal vepronte në interes të oligarkut rus Oleg Deripaska, i përfaqësuar përmes tij dhe bashkëpunëtorit Shestakov.

Sipas Berishës, skandali ka edhe një “dimension kinez”.

Ai tha se vetëm dy ditë pas darkës në Tiranë, djali i presidentit amerikan Joe Biden, Hunter Biden, është takuar në Irlandë me Patrick Ho dhe Jang Xemin, përfaqësues të një korporate kineze.

“Në atë takim u diskutuan informacionet që McGonigal kishte dhënë për t’u përcjellë tek shërbimet sekrete kineze, përmes agjentit të tyre të infiltruar, Dorian Duçka,” theksoi Berisha.

Ai përmendi dokumente gjyqësore në SHBA, ku sipas tij, provohet se korporata kineze kishte marrëdhënie të drejtpërdrejta financiare me Hunter Biden, ndërsa Duçka merrte një pagesë mujore prej 50 mijë dollarësh nga e njëjta kompani.

Berisha deklaroi se sipas Inspektorit të Përgjithshëm në SHBA, FBI kishte ngritur një rrjet për të arrestuar të përfshirët, përfshirë Patrick Ho, Jang Xemin dhe Dorian Duçkën.

“Kjo është një çështje që prek sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, por që përfshin drejtpërdrejt Edi Ramën dhe strukturat më të larta të qeverisë së tij. Tashmë nuk është vetëm një çështje amerikane, por edhe shqiptare,” përfundoi Berisha.