
Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “Together”, duke vënë në pranga një shtetas me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i shpallur më herët në kërkim për veprimtari kriminale që lidhet me armë shpërthyese të programuara për shpërthime në distancë.
Në kuadër të këtij operacioni, të zhvilluar nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 3, u arrestuan:
- Sh., 25 vjeç, banues në Shkodër, i shpallur në kërkim gjatë operacionit “Brothers”, pasi dyshohet se posedonte, së bashku me vëllanë e tij (tashmë i arrestuar), dy mina me telekomandë, të destinuara për ngjarje të rënda kriminale.
- H., 28 vjeç, banues në Shkodër, i cili dyshohet se e ndihmonte J. Sh. të fshihej dhe e mbështeste gjatë kohës që ishte në kërkim.
Të dy shtetasit u lokalizuan dhe u kapën në zonën e Selitës, në Tiranë, ku po fshiheshin.
Gjatë operacionit policia sekuestroi një automjet dhe tre telefona celularë, që dyshohet se janë përdorur për aktivitetin kriminal ose për t’u shmangur nga ndjekja e autoriteteve.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, e cila do të vijojë hetimet dhe procedurat ligjore ndaj të arrestuarve.