Vendosni fjalën kyçe....

Gjermania ndalon eksportin e pajisjeve ushtarake drejt Izraelit që mund të përdoren në Gaza


Qeveria gjermane ka vendosur të ndalojë përkohësisht eksportin e çdo pajisjeje ushtarake drejt Izraelit, që mund të përdoret në operacionet ushtarake në Rripin e Gazës, deri në një njoftim të dytë. Lajmi u konfirmua të premten nga kancelari Friedrich Merz, në përgjigje të planit të Izraelit për të zgjeruar ofensivën në këtë zonë.

Merz theksoi se Izraeli ka të drejtë të mbrohet kundër terrorit të Hamasit, por gjithashtu i bëri thirrje qeverisë në Jerusalem që të shmangë çdo hap të mëtejshëm drejt aneksimit të Bregut Perëndimor.

Ky vendim përbën një ndryshim të rëndësishëm në qëndrimin e Gjermanisë, një prej aleatëve më të afërt të Izraelit në Evropë.

Kancelari gjerman Friedrich Merz deklaroi se prioritetet kryesore të Berlinit në krizën e Lindjes së Mesme janë negociatat për një armëpushim dhe lirimi i pengjeve që mbahen nga Hamasi. “Hamasi nuk duhet të luajë asnjë rol në të ardhmen e Gazës”, u shpreh Merz, duke theksuar se siguria e Izraelit mbetet një çështje thelbësore për Gjermaninë.

Megjithatë, Merz shprehu shqetësim të thellë për vuajtjet e civilëve palestinezë në Rripin e Gazës, dhe u bëri thirrje udhëheqësve izraelitë që të tregojnë përmbajtje në operacionet e tyre ushtarake.

Ky qëndrim i ri vjen pas disa muajsh të asaj që në Berlin është përshkruar si një “embargo e heshtur armësh” ndaj Izraelit, ku eksportet e pajisjeve ushtarake u reduktuan dukshëm.

VINI RE: Ky artikull është pronësi intelektuale e Ynet