Vendosni fjalën kyçe....

Sot merret vendimi për Kopshtin Botanik, pedagogët e studentët në protestë


Sot Gjykata Administrative e Apelit do të vendosë nëse Kopshti Botanik do të qëndrojë në pronësi të Universitetit të Tiranës apo të bashkisë.

Pedagogë e studentë të Fakultetit të Shkencave të Natyrës do të marshojnë sot drejt gjykatës për të pritur vendimin në hyrje të godinës dhe për të protestuar për kauzën e tyre.

 “Do të vazhdojmë me të gjitha rrugët që na njeh ligji. Do jemi në kërkim të së drejtës sonë. Mund të marrim dhe nisma të tjera si bojkoti i mësimit, greva.”, tha kryetari i sindikatës së punonjësve të Universitetit të Tiranës, Qazim Lataj.

Në mbështetje të pedagogëve dhe studentëve pritet të shkojnë edhe përfaqësues nga opozita. Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim herë pas here kanë denoncuar qeverinë se 15 hektarë truall të Kopshtit Botanik, po i grabit për të shpëlarë paratë e krimit dhe për ndërtuar kulla shumëkatëshe.

Deri më sot, kopshti ka qenë pronë shtetërore nën administrimin e Universitetit të Tiranës, por qeveria ka vendosur që ai të jetë pronë lokale bashkiake.