Vendosni fjalën kyçe....

Hiqen patrullat nga rrugët, Hita: Shkeljet të evidentohen me radarë e dronë


Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, në kuadër të riorganizimit të punës së uniformave blu nëpërmjet një telegrami u ka kërkuar vartësve të tij heqjen e shërbimeve të dukshme të policisë rrugore nga akset nacionale dhe jo vetëm.

Në telegramin e shpërndarë drejt të gjitha drejtorive vendore, Hita thotë së ka marrë ankesa të shumta të qytetareve të cilët kanë shprehur shqetësime mbi ndalimet rutinë të kryera pa një bazë të qartë ligjore apo vonesat e panevojshme që këto veprime shkaktojnë gjatë udhëtimit.

Sipas udhëzimeve të reja, shkeljet e qarkullimit rrugor duhet të evidentohen kryesisht përmes teknologjisë, duke përdorur radarët e shpejtësisë në mënyrë automatike, si edhe dronët monitorues.

Por në rastet kur për shkak të situatës, kërkohet konstatimi i shkeljeve në prezencë të drejtuesve të mjeteve, telegrami udhëzon që të hartohet një plan i qartë masash për pikat e kontrollit dhe në krye të tyre të jenë shefat e sektorëve apo seksioneve të policisë rrugore.

Kryepolici Hita ka kërkuar që prej 10 prillit të ndërpritet menjëherë praktika e ndalimit të automjeteve nga rrugorët me motivacionin “për verifikim”.