Kuvendi i Kosovës do të mblidhet sot në një tjetër tentativë për konstituim, ndërsa kanë kaluar dy muaj nga nisja e procesit për legjislaturën e nëntë. Që prej 15 prillit, seanca konstituive ka dështuar të përmbyllet 31 herë, duke e bërë këtë të 32-tën përpjekje për zgjedhjen e Kryeparlamentarit.
Ngërçi nisi që në seancën e parë, kur u formua komisioni i përkohshëm për verifikimin e mandateve, por raporti nuk kaloi për shkak të kundërshtimit nga deputetët e opozitës. Pas disa tentativash, deputetët bënë betimin dhe Lëvizja Vetëvendosje propozoi Albulena Haxhiun për Kryeparlamentare, por ajo nuk arriti të sigurojë votat e nevojshme.
Një tjetër bllokadë u krijua kur Vetëvendosje kërkoi që votimi për Kryeparlamentarin të bëhej i fshehtë, propozim që është kundërshtuar vazhdimisht nga PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe. Këto parti kanë refuzuar të propozojnë anëtarë për Komisionin e Votimit, duke kërkuar që Vetëvendosje të ndryshojë kandidatin.
Presidentja Vjosa Osmani pritet të ndërmarrë hapa për të zgjidhur ngërçin, duke iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese për sqarimin e mundësive ligjore për tejkalimin e situatës. Ekipi i saj ligjor ka përgatitur një draft të lëndës që do t’i dorëzohet Gjykatës, ndërsa pritet edhe aktgjykimi për pranueshmërinë e kërkesës së dorëzuar nga AAK-ja.
Kosova ka mbajtur zgjedhjet parlamentare katër muaj më parë, ku Vetëvendosje doli partia e parë, e pasuar nga PDK, LDK dhe AAK-NISMA. Megjithatë, procesi i konstituimit të Kuvendit mbetet i bllokuar, duke penguar formimin e institucioneve të reja.